“Real Estate në Shqipëri”, filloi punimet Konferenca e parë Ndërkombëtare
Konferenca e parë Ndërkombëtare e Zhvillimit të Real Estate në Shqipëri, filloi dje punimet e saj në vendin tonë, ku u diskutuan strategjitë e këtij biznesi, mundësitë dhe tendencat e reja për përmirësimin e situatës aktuale në kuadrin ligjor, financiar, mjedisor dhe në aspektin e infrastrukturës. Referuesit në këtë konferencë, anëtarë të qeverisë shqiptare, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërive profesionale, ekspertë ligjorë, financierë, përfaqësues të investitorëve, bankave dhe fondeve të investimeve, paraqitën mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të Real Estate në Shqipëri.
Në konferencë u trajtuan tema të tilla si: “Roli dhe rëndësia e zhvillimit të Real Estate në të gjithë zhvillimin e ekonomisë së vendit”, “influenca e ekonomisë dhe politikave qeveritare mbi zhvillimin e Real Estate”, “Problemet ligjore, infrastrukturore, arkitekturore, të mjedisit”, “procedurat e lejeve dhe licencave, ato ndërtimore dhe financiare të tregut të Real Estate në Shqipëri etj”. Disa nga temat e tjera që u diskutuan ishin, edhe ato të "Zhvillimit të Real Estate në Ekonominë dhe Financën e Vendit”, “Legjislacioni i Real Estate dhe Reforma e Pronësisë”, “Planifikimi i Urbanistik dhe Hapësinor”, “Mjedisi”, “Sistemet e Informacionit Gjeografik”, Infrastruktura si një Kusht për Zhvillimin e Real Estate”. Ekspertë të cilët mbulojnë tendencën e tregut, vlerësuan shkallën e rritjes dhe rënies, pozicionimin, projektet e realizuara, shifrat nga vitet e kaluara, parashikimet dhe lëvizjet për vitet në vijim. Sipas tyre zgjerim kanë marrë sektori rezidencial, ambientet për zyra, zonat industriale, parqet logjistike, Qendrat Tregtare dhe Dyqanet e Vogla, Turizmi etj. Kjo konferencë, e para e këtij lloji në Shqipëri, është mbështetur edhe nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, Dhoma Amerikane e Tregtisë, si dhe Shoqata Shqiptare e Bankave.
14 Maj 2008