E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e lejeve të ndërtimit, shkak për shtrenjtimin e çmimit të apartamenteve



Ervin Koçi

Rënia e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe inflacioni kanë pësuar një shtim gjatë dy viteve të fundit, duke bërë që tregu imobiliar në vend të dobësohet ndjeshëm. Alarmin e japin ekspertët e agjencive imobiliare që merren me shitblerjen e pasurive të paluajtshme në Tiranë. Sipas tyre, tregu i ndërtimit po përballet me një rritje të çmimeve me rreth 15 për qind, për shkak të mosdhënies së lejeve të ndërtimit. Po sipas tyre, janë edhe rreth 250 dosje në KRRT që presin të merren në shqyrtim, ndërkohë që vetëm dy-tre mbledhje janë zhvilluar nga fillimi i vitit 2008, për këtë çështje. Mosdhënia e lejeve të ndërtimit ka qenë shkaktari kryesor për rritjen e çmimeve të apartamenteve. Me gjithë kërkesën në rënie për blerje, përsëri është vënë re një rritje e çmimeve të apartamenteve. Zona pranë Liqenit Artificial të Tiranës është dhe zona më e shtrenjtë për blerjen e një apartamenti, edhe pse aty është përqendruar një bum ndërtimesh. Aktualisht të blesh një shtëpi në këtë zonë kushton nga 600-1 500 euro për metër katror. Ndërkohë në zonën e Kinostudios dhe në rrethinat e komunës së Dajtit, çmimi i apartamenteve varijon nga 700- 1000 euro për metër katror. Ndërsa në zonën e Parkut të Autobusëve çmimi i apartamenteve për metër katror varijon nga 700-900 euro për metër katror. Zona e Yzberishtit është edhe zona ku një apartament kushton më lirë. Në këtë zonë çmimet variojnë nga 450-600 euro për metër katror.

Rritja e çmimeve

Parashikimet, sipas agjencive imobiliare tregojnë se nëse vazhdohet me këto ritme, çmimet do të rriten akoma më shumë, duke qëndruar në të njëjtat tendenca rritjeje, me rreth 20-25 për qind në vit. Të dhënat përforcohen edhe nga një raport i Bankës së Shqipërisë për 2007, që vlerëson se rritja e çmimeve të banesave ka ardhur si pasojë e presioneve që janë krijuar në treg për shkak të zvogëlimit të kapaciteteve të lira. Sipas statistikave afatshkurtra të INSTAT-it, si vëllimi i ndërtimeve në përgjithësi ashtu edhe vëllimi i ndërtimeve të reja në veçanti, kanë regjistruar ritme negative rritjeje gjatë tremujorit të tretë dhe për të dytin tremujor radhazi në vitin 2007. Ngadalësimi në rritjen e vëllimit të ndërtimeve konfirmohet edhe nga ulja e vazhdueshme e konsumit të dukshëm të çimentos dhe nga rënia e indeksit të punësimit.

Rritja e kostove

Për të njëjtën periudhë edhe kostot e lidhura me ndërtimin që maten nga indeksi i kushtimit në ndërtim kanë vazhduar të rriten. Megjithatë ritmi i rritjes së kostove të prodhimit, sipas Bankës së Shqipërisë, është disa herë më i ulët sesa ritmi i rritjes së çmimeve. Çdo firmë e cila kërkon të marrë lejen e ndërtimit, duhet të plotësojë 15 dokumente. Nga këto, 8 dokumente nevojiten për zbardhjen e lejes së ndërtimit në Këshillin e Rregullimit të Territorit. Këto dokumente ndërtuesi duhet t'i dorëzojë në Bashki. Dokumentet e nevojshme për marrjen e lejes së ndërtimit janë: formulari Nr. 3, formulari Nr. 2 i lejes së aprovuar të sheshit të ndërtimit, kontrata noteriale midis pronarit të truallit dhe firmës së ndërtimit, si dhe licenca e noterizuar e firmës së ndërtimit, brenda afatit të përdorimit deri te të dhënat e studimit inxhiniero-sizmologjik për sheshin ku do të bëhet ndërtimi.

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›