E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pedagogët, auditorët përsëri bosh

11/12/2004  Qeveria u jep autonominë universiteteve, në këmbim të rritjes së pagave. Por, taksat e studentëve s’i përballojnë dot pagat

Pedagogët, auditorët përsëri bosh

Hoxha: Pagat të mbulohen nga buxheti, jo nga të ardhurat e universiteteve

Përsëri studentët nuk do të ulen në auditoret e tyre. Pedagogët do të vazhdojnë grevën pa afat, duke hyrë në javën e katërt. “Kjo pasi qeveria nuk ka miratuar atë draft, për të cilin ne ramë dakord. Pagat ne kemi kërkuar që të rriten nga të ardhurat e buxhetit, jo nga të ardhurat dytësore. Pasi në këtë mënyrë, kjo rritje i rëndon xhepave të qytetarëve dhe familjeve shqiptare”, tha Ismail Hoxha, kryetari i komisionit të grevës, shefi i Profesoriatit në Universitetin Politeknik. Të ardhurat dytësore mblidhen nga tarifa e regjistrimit për konkurs dhe taksa e regjistrimit të studentëve në fillim të vitit, por këto nuk janë kaq shumë lekë sa për të përballuar rritjen e pagave të pedagogëve, rrjedhimisht i bie që të rriten taksat e studentëve. Vitin e kaluar kjo taksë ishte 7 mijë lekë të reja, këtë vit u rrit në 10 mijë lekë, ndërsa para tre viteve ishte 2.5 mijë lekë. Sipas ministrit të Ekonomisë, Arben Malaj, 8 miliardë lekë është gjithë fondi i pagave për arsimin dhe vetëm pedagogët kërkojnë këtë shumë, që është e papërballueshme nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, po sipas Malajt, nga të ardhurat dytësore, me marrjen e autonomisë financiare, univeristetet grumbullojnë 12 milionë lekë. Një pjesë e pagave do të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër, ajo e rritjes do të përballohet nga të ardhurat dytësore.

Pagat e administratës

Një tjetër arsye, për të cilën do të vazhdojë greva, është pikërisht mosrritja e pagave të punonjësve të administratës. Në tre projektvendimet e djeshme nuk është parashikuar asnjë pikë për ata. Dhe ndërsa pedagogët ishin mbledhur, punonjës të administratës shkruanin në tabela “Pedagogë mos na tradhtoni”. Në draftin e paraqitur nga grupi ndërministror në takimin e një jave më parë me pedagogët u parashikua që punonjësit e administratës të hyjnë në shërbimin civil. Pedagogët dhe punonjësit kërkuan që të përcaktohej kufiri maksimal dhe minimal i këtyre pagave. Kjo ishte dhe arsyeja se përse nuk e firmosën draftin.

Një tjetër vendim i miratuar dy ditë më parë ishte ai i autonomisë financiare dhe institucionale, që duket se u dha në “këmbim të pagave”.

Autonomia, si përdoren të ardhurat

Sipas Kartës së Bolonjës, të ardhurat dytësore duhet të përdoren për të investuar në universitete si për pajisjet didaktike dhe për pajisjet që duhen për kërkimin shkencor dhe jo për paga. Për këtë ju vjen në ndihmë vendimi i dy ditëve më parë. Sipas këtij vendimi, shkollat e larta dhe fakultetet, për fondet e veta të miratuara apo të krijuara, do t’i kryejnë vetë procedurat e prokurimit. Kjo do të shmangë vonesat në prokurimin e fondeve, me qëllim mirëfunksionimin dhe realizimin e misionit të shkollave të larta. Proceduarat e prokurimit në shkollat e larta dhe fakultetet do të kryhen në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për prokurimin publik. Një pjesë e këtyre fondeve edhe këto vite është përdorur për të paguar orët shtesë të pedagogëve. Për shembull, me taksat e regjistrimit të studentëve për konkurs, paguhen mjetet, letra dhe stilolapsat, por dhe orët shtesë të pedagogëve dhe mësuesëve, që marrin pjesë në këtë proces. Për sistemin part-time, orët shtesë, që bëjnë pedagogët të shtunë dhe të diel, paguhen nga të ardhurat e grumbulluara prej taksave të paguara nga këta studentë në fillim të vitit.

Karta e Studentit

Karta e Studentit është një dokument identifikimi për të gjithë të rinjtë që ndjekin studimet në universitetet shqiptare. Statusi i studentëve në nivelin e përgjithshëm përcakton një përkujdesje të veçantë nga ana e shtetit ndaj pamundësive financiare që kanë sot të rinjtë, si pasojë e mospasjes së një pavarësie ekonomike për shkak të moshës. Të gjithë studentët, që do të jenë të pajisur me këtë kartë, do të përfitojnë disa shërbime dhe çmime të reduktuara për udhëtime, shërbime mjekësore, veprimtari artistike e kulturore etj.

Ngarkohet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të paraqesë për miratim projektvendimin “Për Kartën e Studentit”, në të cilën do të përcaktohen forma, përmbajtja, elementët e sigurisë, procedurat e pajisjes me kartë, si dhe lehtësirat social-ekonomike dhe ato të shërbimeve që ofrohen nga institucionet shtetërore dhe entet e tjera publike dhe private për studentët shqiptarë.

Projektligji është në koherencë të plotë me ndryshimet që kërkon përafrimi i legjislacionit tonë me standardet e BE-së, në mënyrë që studentët, të cilët ndjekin studimet e larta në të gjitha universitetet shtetërore dhe private në Shqipëri, të gëzojnë më shumë të drejta dhe të përfitojnë lehtësira financiare nga përdorimi i Kartës së Studentit.

Të ardhurat dytësore mblidhen nga:

Taksa e studentëve

Viti i parë: 10 mijë lekë

Viti i dytë: 7 mijë lekë

Viti i tretë, i katërt 2.5 mijë lekë

Taksa e regjistrimit për konkurse 2 mijë lekë

Pagasat e kuotave dytësore

Pagesat e sitemit part-time

MALAJ:

12 milionë lekë

Grumbullohen nga të ardhurat dytësore

8 miliardë lekë

Fondi i pagave për pedagogët

Bello: Misioni im mbaroi këtu

Duket se greva nis nga e para, pedagogët nuk kanë më palë ndërmjetëse për të hyrë në bisedime me qeverinë.

Flitet se ju jeni tërhequr nga bisedimet me pedagogët?

“Nuk jam tërhequr, por këtu përfundonte puna ime. Ato pika, për të cilat u ra dakord që në fillim, u realizuan. Arrita të fus në qeveri tre projekt-vendime në funksion të kërkesave të bëra nga pedagogët, kur një nga këto projekt-vendime pati kundërshtime nga pedagogët.

Cila është kjo pikë?

Rritja e pagave do jetë në varësi të buxhetit të shtetit dhe të ardhurave dytësore, të cilat janë grumbullimet që sigurojnë vet fakultetet. Për të gjitha çështjet është arritur konsensusi dhe është respektuar kompromisi midis dy palëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›