Ishim fantastikë
Sir Alex Ferguson beson se paraqitja e Manchester Unitedit ndaj Schalkes ishte njëra prej më të mirave të zhvilluara ndonjëherë në Evropë. Të dyja ekipet u takuan në Veltins-Arena të martën mbrëma dhe Djajtë e Kuq’ e kontrolluan lojën dhe fituan me meritë me golat e Ryan Giggs e Wayne Rooney.
Trajneri skocez ishte mjaft i impresionuar me atë që e pa në Gjermani, sa që e krahasoi këtë lojë me njërën prej fitoreve më të famshme të United kundër Juventusit në vitin 1999. Në atë kohë, gjiganti anglez po humbiste 2:0 në Torino, por u kthye në lojë dhe fitoi 3:2, për t’u kualifikuar në finale.
“Ne kishim disa paraqitje fantastike në Evropë. Por, mendoj se kjo sigurisht është njëra prej më të mirave. Ndeshja me Juventusin do të jetë gjithmonë lart në listë, por mendoj se edhe kjo fitore qëndron atje lart. Isha i stërkënaqur. Ishte një paraqitje e shkëlqyeshme. I përgëzoj lojtarët për besimin që kishin. Ishte një paraqitje për duartrokitje”, përfundoi menaxheri Ferguson. Kjo fitore e afron kryesuesin e Premierligës më afër finales së Wembleyt.