E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Fushë-Krujë: “Do t’i rikthejmë vlerat natyrore kësaj zone”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë me vullnetarët e Fushë-Krujës gjatë pasdites së djeshme. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama është ndalur te problematika kryesore e zonës së Fushë-Krujës, që është shkatërrimi i vlerave natyrore të saj. Kreu i PS-së nënvizoi se as pushtuesit ndër vite nuk i kanë shkatërruar vlerat e kësaj zone. “Ata që u përpoqën që ta pushtonin këtë territor 500 vjet më parë mbahen mend si zjarrvënësit rreth e rrotull Krujës, por sot, vetëm në 4 vjet, ata që qeverisin do të mbahen mend si kafshuesit e pamëshirshëm të zonës rreth Krujës". Rama, duke folur për shkatërrimin natyror, tha se ai ka ardhur si pasojë e korrupsionit galopant të kësaj maxhorance. "Duke hedhur votën për Sali Berishën, nuk e kanë menduar se Sali Berisha dhe qeveria e tij do t'i bënin kësaj zone të bekuar dëmin e pallogaritshëm që po i bëjnë duke shfrenuar një babëzi të papërfytyrueshme dhe duke e kthyer këtë monument të natyrës dhe historisë në një monument të korrupsionit, të papërgjegjshmërisë, të babëzisë dhe të gjithçkaje që mishëron kjo keqqeverisje", - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ai ka bërë apel që askush mos ta lërë vendin bosh, por të marrë përgjegjësinë historike që i takon në këto momente, për të vendosur fatin e gjeneratës së re: "Askush s'mund ta parafytyronte atëherë se 18 vjet pas lindjes së institucioneve të lirisë, Shqipëria do të kishte një liri kaq të varfër në vlera, kaq të kushtëzuar nga marrëdhëniet me politikën në pushtet, kaq të kufizuar në lëvizje dhe kaq të kërcënuar nga mungesa e sigurisë së jetës. Sot është momenti për të numëruar ditët që i kanë mbetur kësaj politike pa shpirt, pa sy, pa veshë, e cila e katandisi Fushë-Krujën, Krujën dhe gjithë Shqipërinë në territorin më të sakrifikuar prej papërgjegjshmërisë, paaftësisë e korrupsionit të politikanëve të vet”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›