E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI, gati fushata e trajnimeve të anëtarësisë për mbrojtjen e votave

Sipas Ilir Metës, do të trajnohen 50 mijë anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së. Strategjia e LSI-së për mbrojtjen e votave parashikon edhe angazhimin e 500 vëzhguesve të huaj

Shaban Sulçe

Lëvizja Socialiste për Integrim do të nisë muajin e ardhshëm fushatën e trajnimeve për anëtarët dhe simpatizantët e saj, në kuadër të zbatimit të strategjisë për parandalimin e skemave manipuluese të zgjedhjeve. Sipas burimeve nga LSI-ja, 50 mijë anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike do të trajnohen në muajin mars për të qenë të përgatitur që gjatë procesit zgjedhor të ndjekin më vëmendje dhe të denoncojnë çdo tentativë për grabitjen e votave apo manipulimin e zgjedhjeve. Ky aksion i LSI-së është i kushtëzuar nga përmbajtja e Kodit Zgjedhor, ku forcës së tretë më të madhe politike në vend iu mohuan anëtarët në komisionet e administrimit të zgjedhjeve. Madje, për këtë arsye, kreu i LSI-së, Ilir Meta, së bashku me deputetët e LSI-së, por edhe të PDK-së dhe PS ’91-shit, zhvilluan një grevë urie njëjavore.

Anëtarësia

Lajmin për trajnimin e anëtarësisë së LSI-së për të denoncuar manipulimet e mundshme në procesin zgjedhor e ka konfirmuar edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Ai tha se 50 mijë anëtarë e simpatizantë të LSI-së do të angazhohen në çdo qark, bashki, komunë të vendit, do të angazhohen në misionin e LSI-së për mbrojtjen e votave. “Sa i takon strategjisë për parandalimin e manipulimeve dhe mbrojtjen e votës, në radhë të parë garancia jemi ne; do të jenë mbi 50 mijë veta në të gjithë Shqipërinë të angazhuar vetëm për këtë çështje, të cilët do të trajnohen në çdo qark, qytet, rreth, komunë apo fshat. Do të jetë një operacion gjigant për të mbrojtur jo vetëm votën e LSI-së, por votën e të gjithë shqiptarëve”, - ka deklaruar kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Kompania
Pak ditë më parë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë kohës kur ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të SHBA-ve, Barak Obama, arriti të nënshkruante një kontratë bashkëpunimi me kompaninë amerikane “Greenberg Quinlan Rosner Research”. Pasi LSI-së iu mohua e drejta për të qenë pjesë e procesit të administrimit të zgjedhjeve në Kodin e ri Zgjedhor, kreu i LSI-së, Ilir Meta, në përfundim të grevës së urisë tha se LSI-ja nuk do të tërhiqej nga qëllimi i saj për mbrojtjen e votave dhe të zgjedhjeve nga manipulimet. Për këtë arsye, Meta tha se LSI-ja do të kontraktojë kompani të specializuara për hartimin e strategjive për paralizimin e manipulimeve në zgjedhje. Njëra prej këtyre kompanive duket se do të jetë kompania amerikane “Greenberg Quinlan Rosner Research”. Interesant është fakti se kjo kompani është e specializuar gjithashtu edhe për menaxhimin e fushatave elektorale, ndërkohë që ajo është e njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e suksesshëm që dha për zgjedhjen e Bill Klintonit si President i SHBA-ve.

Vëzhguesit
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka premtuar gjithashtu krijimin e tri qendrave me përbërjen e ekipeve të specializuara, të cilat do të bashkërendohen me njëra-tjetrën, por edhe me aktorët politikë, për të denoncuar me përmasa të forta ndërkombëtare në rast të manipulimeve të zgjedhjeve. Meta ka thënë gjithashtu se LSI-ja do të sjellë qindra personalitete ndërkombëtare, politikanë, gazetarë me eksperiencë të vlefshme në monitorimin e proceseve zgjedhore edhe në vendet më problematike. Sipas tij, pritet që procesi zgjedhor të monitorohet nga 500 vëzhgues të huaj. Një lajm i tillë u konfirmua edhe nga nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, i cili gjatë fjalës në Parlament iu drejtua deputetëve të PS-së dhe të PD-së, se çdo tentativë për manipulimin e zgjedhjeve do të dështojë. “Nuk keni për t’i manipuluar zgjedhjet. Ne do të sjellim 500 vëzhgues nga e gjithë bota për t’i monitoruar. Harrojini manipulimet”, - ka thënë Prifti.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›