E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, letër Kushtetueses: “Anëtarët me konflikt interesi të mos shqyrtojnë ligjin”



Zyra Juridike pranë Kuvendit të Shqipërisë i ka dërguar dje Gjykatës Kushtetuese një letër, në të cilën parashtron dy kërkesa të argumentuara, siç është mospezullimi i ligjit të dosjeve dhe mosshqyrtimi i tij nga anëtarët me konflikt interesi. Në letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të mblidhet javën e ardhshme për të shqyrtuar ligjin e dosjeve, Kuvendi ka argumentuar kërkesën për mosshqyrtimin e ligjit nga anëtarët me konflikt interesi, duke vënë theksin në parimin juridik të paanshmërisë së gjyqtarëve. “Një nga parimet themelore dhe universale të gjykimit kushtetues në shqyrtimin e çështjeve është paanësia e trupës gjyqësore. Kjo nënkupton paanësinë e çdo anëtari të saj. Ky parim qëndron në themel të rendit juridik të të gjitha vendeve të botës, duke përfshirë dhe rendin juridik të Republikës së Shqipërisë. Një gjë e tillë parashikohet si në Kushtetutën tonë, ashtu dhe në Ligjin 8577 për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Parimi i paanësisë prevalon mbi çdo parimi tjetër, qoftë edhe në rastet kur mund të rrezikojë shkaktimin e pamundësisë për të gjykuar një çështje për shkak të mosarritjes së kuorumit për të shqyrtuar çështjen apo për të marrë vendime”, - shkruhet në letrën e Kuvendit.
Në këtë letër është parashtruar dhe një shembull që lidhet me një gjykatë në SHBA, e cila nuk ka shqyrtuar një vendim për shkak të konfliktit të interesit të shumicës së anëtarëve të saj, të cilët janë tërhequr nga gjykimi. “Neni 36 e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese parashikon se anëtari i Gjykatës Kushtetuese është i detyruar të heqë dorë nga shqyrtimi i një çështjeje konkrete, ku për shkak të lidhjeve fisnore apo lidhjeve të tjera të pjesëmarrësve në gjykim, vihet në dyshim objektiviteti i tij. Ai nuk mund të shqyrtojë një çështje që lidhet drejtpërdrejt me personin e tij. Në këtë rast gjyqtari objektivisht vihet në pamundësi për të gjykuar këtë çështje”, - shkruhet në letrën e Kuvendit.
Drejtoria Juridike e Kuvendit ka dhënë argumente dhe për kërkesën për mospezullimin e ligjit, duke bërë të ditur se pezullimi i tij do të ishte shkelje flagrante e Kushtetutës. “Askush të mos pretendojë se ligji për verifikimin e figurave është antikushtetues dhe si i tillë nuk përbën rast për pezullimin e tij nga Gjykata Kushtetuese. Transparenca e çdo zyrtari është detyrimi minimal përballë qytetarëve të tij. Çdo qytetar ka të drejtë të kontrollojë të kaluarën e zyrtarëve të lartë të vendit të tij. Nëse do të kërkonim ta pezullonim këtë proces, kjo do të ishte shkelje flagrante e Kushtetutës”, - shkruhet në letrën e Kuvendit drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›