Ishin në kërkim, arrestohen
SHKODËR Dy persona të shpallur në kërkim janë ndaluar nga policia e Shkodrës, ndërsa ishin të dënuar nga organet e drejtësisë për vepra të ndryshme penale. Bari Beqir Delaj 28 vjeç, banues në fshatin “Nikç”, Komuna Kelmend, të rrethit Malësi e Madhe, është ndaluar mbrëmjen e së hënës, pasi ishte i shpallur më kërkim që me 12 dhjetor 2007. Sipas policisë, ky person ka qenë i dënuar nga Gjykata e Apelit Shkodër, me vendim të formës së prerë, me 10 vjet burgim për veprat penale “Prodhim dhe shitje të Narkotikëve” si dhe “Mbajtje, prodhim dhe transportim të substancave kimike”. Bari Delaj ka qenë i përfshirë dhe në listat e shqiptarëve më të kërkuar nga Interpoli. Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen e tij, është organizuar kapja nga policia. Në prangat e policisë ka rënë edhe një tjetër shtetas i shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të “Dezertimit”. Edmond Prel Hasi 23 vjeç, lindur në Laç dhe banues në lagjen “Perash” të qytetit Shkodër, është ndaluar pasi më datë 16.02.2010 Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale të “Dezertimit”.