Ishin në kërkim për vepra penale, arrestohen dy vëllezërit Murati
Tiranë - Shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve Albert Murati, 25 vjeç, dhe Fatmir Murati, 20 vjeç, të dy lindur në Tropojë dhe banues në Babrru. Shtetasi Albert Murati ishte shpallur person në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 4 për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje”, pasi më datë 24.11.2008, rreth orës 21:30, në rrugën “5 Maji”, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasen L. Sh., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Gjatë operacionit për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim Albert Murati, në rrugën “Gjergj Legisi”, ky shtetas, në bashkëpunim dhe me shtetasin Fatmir Murati, kanë kundërshtuar me dhunë gjatë kryerjes së detyrës dy punonjësit e policisë.
U kryen veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësve të policisë”.
Polici privat qëllon me armë, ishte i dehur
Tiranë – Uniformat blu të Komisariatit të Policisë Nr. 3 i dërguan materialet në prokurori për veprën penale të “prishjes së qetësisë publike” parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal ndaj shtetasit Flamur Bashkim Çullhaj, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Procedimi i tij nisi sepse gjatë ushtrimit të detyrës si punonjës pranë SHRSF “Pelikan” ka qëlluar me armën e shërbimit si pasojë e gjendjes së tij të dehur.
3 Dhjetor 2008