“Lënia pas” e gjërave dhe çështja “Fazlliç”
Nga Artan Mullaj
Pas zhurmës së madhe historia e Damir Fazlliçit duket se nxiton të zhduket në muzgun që vetë ajo e krijoi. Ashtu si ka ndodhur edhe me shumë ngjarje të tilla (prodhuese përshtypjesh e opinionesh në vend), ajo po precipiton atje tej, në haresë. Mjegulla e misterit të pathënë i fshiu pa mëshirë detajet që e ngritën këtë histori në vëmendje. Aq sa kjo çështje u fut në listën e ngjarjeve me një pikëpyetje të madhe përmbi, mbi të cilën askush nuk ka më kureshtjen të klikojë, sepse e vërteta në Shqipëri është zakonisht diçka e vështirë. Nuk është kjo ngjarja e parë që depozitohet në formë enigme, në kujtesën publike, ashtu si nuk ishte e para dhe as e fundit gjëma e Gërdecit, “rruga e përfolur patriotike”, “vrimat e zeza” të parave të shqiptarëve në ‘97-n dhe shumë marifete të tjera më herët.., që përfunduan të mbyllura njëherë e mirë, pa u hapur kurrë. Histori të mbyllura e të pandriçuara ka plot në historinë e tranzicionit tonë; histori të mbyllura hetimesh të pabëra për shkelje ligjesh, për abuzime me pronën publike dhe abuzime morali të pushtetit, që dihen nga të gjithë. (Nuk mungojnë as dosje të frikshme, por të paprekura pushtetarësh të akuzuar për abuzime spektakolare që janë mbyllur në vite përgjithmonë e kushedi ku nëpër sirtarët e akuzës). Megjithëse kureshtja qytetare mbeti pra një çark i pashkrehur për aventurën e serbo-boshnjakut të famshëm në Shqipëri, ngaqë si shumë të tjera, kjo aventurë ishte një gjë e lënë në mes, pas bujës, kjo aventurë stisi një vëmendje të re në publik. Së pari, ashtu si edhe Gërdeci, ajo hodhi dritë mbi koeficientin e ulët të vërtetësisë së shumicës së deklaratave të papërgjegjshme politike që bëhen në ekrane nga njerëzit e tribunave, duke lënë hapur në tryezë supozimin e hershëm se klasës politike shqiptare i mungon barbarisht ndjeshmëria dhe ndershmëria e nevojshme për të udhëhequr shqiptarët, por jo vetëm. Të thënat dhe të pathënat e tyre publike vërtetojnë se të pushtetshmit regëtijnë e përpëlitën akoma në një sfidë të gjatë pjekurie. Jo vetëm te zallamahia “Fazlliç”, por në të gjitha ngjarjet politike ku ka pasur përplasje, kundërshtitë e publikuara të palëve shpesh bazohen në argumente qesharake, në fakte naive apo gjykime mediokre, të cilat, ngaqë u mungon klithshëm autoriteti, ata vetë besojnë se është e pamundur të besohen nga turma. Së dyti, “lënia pas”, apo lënia në mes e gjërave është shndërruar në një fenomen të trishtë tranzicioni. Kjo, “lënia e gjërave pas ose, në mes”, përbën shpalosjen shqiptare të dinakërisë së pushtetit për zgjidhjen e situatave të vështira. Kjo sipas logjikës “shtyje, shtyje se gjithçka do harrohet!” Për shembull, shembja e dikurshme e ish-mbikalimit bashkiak në Zogun e Zi, ku u asgjësuan për ndërtim e shkatërrim jo pak nga monedhat e shqiptarëve, - aspak si vrasje ndërgjegjeje për këtë, - mbeti thjesht një çështje gjyqesh zinxhir, pas të cilave nuk u fol kurrë për fajtorë e dëmshpërblime. Mbikalimi u harrua, kurse fajtorët nuk ekzistojnë në hapësirat tona! Ka natyrisht korrupsion të faktuar, akuza e ngritje padish gjithandej, por nuk ka fajtorë, nuk ka të ndëshkuar, nuk ka përfundime. Ekziston pra “lënia pas” e kiametit dhe frymëzimi mbretëror i hajdutëve për harresën shpëtimtare të mëkateve të tyre. Mund të mos jenë shumë tipa fleksibël dhe mund të mos gëzojnë gjenetikisht lehtësinë e të kuptuarit të gjërave këta fatlumë me pushtet në vendin tonë! Mbase nuk dinë të na qeverisin si duhet, por shkulmi i pushtetit të pamerituar ju ka kalitur atyre instinktin e vjetër të vetëmbrojtjes; mëkatarët e tenderave dhe gjëmave të mëdha kanë kuptuar se “rrjedhja e bekuar e kohës është një armë e pashlyeshme… Fazlliçi u harrua, historia e tij u “la pas”, jeta shqiptare vazhdon. Kësaj strategjie me “lënie pas” të gjërave synoi t’i shërbejë së fundi edhe kryeministri i vendit me deklaratën në mbrojtje të “jashtëministrit” elegant shqiptar. Mbase nuk është e vërtetë akuza dhe hajdutllëqet që pëshpëriten, dhe për këtë nuk mund të thuhet asgjë, po ajo çka mund të thuhet është se duket qartë se flitet gjithashtu qartë në mënyrë të pandershme…. Me deklarata hileqare që synojnë të zallahitin dhe të lodhin çështjen me çështje naive, shfaqja e kryeministrit si avokat mbrojtës i Bashës tregoi se deri në ç’masë mund të shkojë shpëlarja e personalitetit ekzekutiv për të fshehur pandershmërinë e dyshuar të një ministri, që mund të rezultojë një ditë e zbuluar në dritën e diellit. Së paku, këto orvatje lënë të supozohet se kjo “vetëshitje”, kjo “lakuriqësi” dhe kjo “putanëri” naive e politikës, për t’u fshehur mbrapa pushtetit duke sfiduar ligjet e vendit, s’është gjë tjetër veç një përpëlitje para agonisë së fajit, madje është mjegull e re mbi të parën, gjersa minutat të shkojnë. (Epo, aleate të përhershme të korrupsionit dhe mëkateve shqiptare, minutat janë shpëtimtaret. Pas tyre do të ketë përsëri një “lënie pas” një herë e mirë të haberit. Gjithçka shpejt do harrohet). Së treti, Fazlliçi konfirmoi karaqeshur ekzistencën e një dukurie ndërkombëtare në Shqipëri. Kemi të bëjmë me një strategji të mbrapshtë vjedhjesh popullore, që prodhoi imagjinata gjigante e sekserëve politikë, kryesisht në vendet e Europës Juglindore. Mbase ky shkulm filloi në Rusi, ku rezultojnë manjatët e shtuar të naftës e gazit, që janë gdhirë sa hap e mbyll sytë miliarderë, por kjo nuk ka rëndësi. Pavarësisht origjinës dhe vendit ku u projektua, rëndësi ka fakti se kjo imagjinatë infektoi me shpejtësi vendet me demokraci të vështirë, siç jemi ne, ndërsa u mbështet sa hap e mbyll sytë nga politikanë sharlatanë e të babëzitur të këtyre vendeve, që bëjnë të pabërën për xhepat e tyre. Skema seksere e vjedhjes spektakolare të pasurive kombëtare, ngaqë tregjet milionprurëse të biznesit të energjetikës janë monopolizuar dhe nuk mund të çahet atje, është drejtuar të funksionojë së fundi në pasuritë e paluajtshme. Çfarë ndodhi në Shqipëri? Një mik sekser i kryeministrit tonë, zoti Fazlliç, synoi dhe fitoi me sa duket ca “miliona të gjelbra, të pastra e të shëndetshme”. Një situatë e përafërt u provokua edhe në Greqinë fqinje, ndonëse në një mënyrë më të kamufluar, por gjithsesi sekserët ishin aty. Papritur, qeveria greke dhe “Vatopedhi”, njëri nga manastiret e “Malit të Shenjtë” të Kishës Ortodokse, ranë në një marrëveshje për të shkëmbyer një liqen, pronë e manastirit, e cila i kaloi shtetit, me disa troje rreth këtij liqeni, që u kthyen në pronë të manastirit ortodoks. Shkëmbimi i pabarabartë e la pa fjalë opinionin publik, për më tepër që trojet e dhëna manastirit kishin vlerë shumë më të madhe se vlera e liqenit. Pastaj manastiri ua shiti trojet me një vlerë akoma më të madhe disa kompanive private, duke përfituar shifra të mëdha milionash. Njëlloj si përfitoi edhe Fazlliçi nga tokat e fshatarëve në rrethinat e Golemit dhe u bë i famshëm në Shqipëri, kreu i manastirit, Igumeni Efraim, përfitoi miliona për vete dhe për sekserët e fshehur pas tij, por u përball sakaq me dritat publike sapo e vërteta doli në shesh. Shumë shpejt u mor vesh se kish ekzistuar një marrëveshje paraprake për pastrim të “pastër” parash. Me gjithë ngjashmërinë e projekteve seksere të aplikuara në dy vendet, ka një ndryshim thelbësor në atë çka ndodhi më pas. Ndërsa kuletploti Fazlliç ikën dhe vjen si mik i kryeministrit, pa i hyrë gjemb në këmbë, dhe çështja e tij gëzon sot dukurinë e “lënies pas” që përmendëm më sipër, gjërat janë ndryshe në krahun helen. Pati një elektrizim të pazakontë të opinionit publik, i cili solli për pasojë rënien në tatëpjetë të aksioneve të qeverisë demokrate të Karamanlisit, por jo vetëm. Pati dorëheqje të dy ministrave të qeverisë, të implikuar në këtë histori dhe ndryshe nga ç’ndodhi në Shqipëri, çështja e manastirit nuk u “la pas”, përkundrazi, në hetimin dinamik dhe krenar të Prokurorisë greke, veç shoqërisë civile, merr pjesë përditshmërisht dhe unanimisht e gjithë media greke, pasi kanë kuptuar se këto lloj “sekserish”, janë një çështje kombëtare dhe rrezikojnë demokracinë e shëndetshme në vend. Përkundrazi, media të rëndësishme në Shqipëri, mbështetëse të verbra të qeverisë dhe mëkateve të saj, e trajtuan edhe ato zotin Fazlliç si një mik të shtëpisë, madje shkuan edhe më tej, sekserisht hodhën baltë mbi Prokurorinë e brishtë të Ina Ramës, që guxoi ta hetojë sekserin e madh.
3 Dhjetor 2008