Policia greke prangos tre shqiptarë, transportonin 91 kg Cannabis sativa
Tre shqiptarë janë arrestuar nga Policia greke në kufi me Shqipërinë, pasi janë kapur me 91 kg Cannabis sativa. Ngjarja ka ndodhur në rrugën nacionale të fshatit Vasiliko të zonës së Pogonisë, afër kufirit shqiptar. Pikërisht në këtë zonë, një patrullë policie e forcave të kufirit të Janinës, ka arrestuar tre shtetas shqiptarë, të cilëve u janë gjetur në dy makinat me të cilat udhëtonin 80 pako me hashash, me një peshë të përgjithshme prej 91 kilogramësh. Sipas informacioneve të Antidrogës greke, sasia e lëndës narkotike ishte futur në tokën greke nga kalime të fshehta të kufirit nga bashkëpunëtorë te trafikantëve dhe më pas ishte sistemuar në makinat e tyre. Qëllimi i tre shtetasve shqiptarë ishte që kjo sasi droge të çohej në kryeqytetin grek, Athinë. Të tre të arrestuarit janë çuar në Prokurorinë e Janinës, ku u është dhënë akuza për trafikim të lëndëve narkotike dhe më pas janë çuar në dhomat e paraburgimit. Policia greke nuk ka publikuar identitetin e tyre për arsye se vazhdojnë hetimet në bashkëpunim edhe me Policinë e Gjirokastrës për gjetjen e bashkëpunëtoreve të tjerë.
3 Dhjetor 2008