Vetëdorëzohet në polici ish-drejtori i Hipotekës së Durrësit, Alush Xhihani
Durrës – Është vetëdorëzuar në polici 55-vjeçari Alush Xhihani, lindur dhe banues në Shijak. Burime policore thanë se ai nuk ka pasur rrugë tjetër veçse të kryejë dënimin e dhënë nga Gjykata e Durrësit. Xhihani ka qenë person i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Durrësit pasi kur ka qenë në detyrën e drejtorit të Hipotekës në këtë qytet, ka konsumuar veprat penale të “vjedhjes” duke shpërdoruar detyrën, kryer në bashkëpunim si dhe atë të “falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga nenet 135, 25 dhe 186 të Kodit Penal. Gjykata e Durrësit e ka dënuar ish-drejtorin Xhihani me 4 vjet heqje lirie, vendim të cilin Gjykata e Apelit, gjatë vitit të kaluar, e ka ulur në masën 2 vjet, duke i lënë atij vetëm akuzën për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal.
19 Mars 2009