E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy furnizuesve me 350 gramë drogë

Dy furnizues droge janë arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi janë kapur duke shitur lëndë narkotike te disa shpërndarës të tjerë. Operacioni për kapjen e tyre është bërë dy net më parë, ndërkohë që policia ka sekuestruar edhe 350 gramë kanabis, që u është gjetur me vete dy të arrestuarve. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se hetimet për këtë operacion kishin nisur rreth një muaj më parë dhe dy të rinjtë ishin studentë. Sipas të dhënave hetimore, me kapjen e disa shpërndarësve të vegjël të lëndëve narkotike, kanë dalë në pah edhe emrat e Ferjaldo Shkëmbit dhe Fjorildo Satkës, përkatësisht 25 dhe 21 vjeç. Ata janë mbajtur nën vëzhgim për një kohë të gjatë dhe është ruajtur rasti derisa të kapeshin me lëndën narkotike, teksa e shisnin te të tjerët. Kështu, rreth orës 21.30 të së premtes, ata kanë shkuar te rruga "Qemal Stafa", ku kanë takuar disa persona të njohur për antidrogën si përdorues dhe shpërndarës të vegjël. Pasi kanë qëndruar për një kohë të shkurtër, ata janë shpërndarë dhe është marrë informacion se dy personat e lartpërmendur, kishin lëndë narkotike me vete. Në këto momente ka ardhur ndërhyrja e policisë, ndërkohë që të rinjtë kanë tentuar arratisjen. Ata janë ndjekur nga agjentët dhe brenda pak çastesh është bërë prangosja e tyre. Njërit prej tyre i është gjetur edhe një çantë, brenda së cilës u sekuestruan 350 gramë kanabis. Policia tha se ata u morën në pyetje, por nuk kanë pranuar të tregojnë asgjë në lidhje me drogën e sekuestruar. Më vonë, uniformat blu kanë ushtruar kontroll edhe në banesat e tyre, por nuk u është gjetur drogë tjetër. Policia dyshon se ata janë furnizues droge, pasi e sjellin nga rrethe të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›