Sot fillon aplikimi për pasaportat biometrike
Duke filluar që nga dita e sotme, të gjithë qytetarët shqiptarë mund të aplikojnë për pajisjen me pasaporta biometrike. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, mësohet se në ditën e sotme, 25 Mars 2009, fillon procesi i aplikimit të qytetarëve për pajisjen me pasaporta biometrike. Ky proces do të nisë fillimisht në Tiranë dhe qytetarët munden të aplikojnë në qendrat përkatëse pranë çdo njësie bashkiake.
Procesi i aplikimit për pasaportë biometrike është i njëjtë me procesin e aplikimit për letërnjoftimin elektronik, thjesht qytetarët duhet të blejnë pranë zyrave postare kuponin për pasaportën biometrike, bëhet e ditur në deklaratën e MB. Ndër të tjera theksohet se pajisja e qytetarëve shqiptarë me dokumentet e reja të identitetit ka një rëndësi të madhe për procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian dhe në mënyrë të veçantë për liberalizimin e vizave. Sipas kësaj ministrie, numri i pasaportave biometrike të lëshuara për qytetarët shqiptarë do të jetë një argument i rëndësishëm për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Nëpërmjet deklaratës për shtyp, Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve shqiptarë tu drejtohen zyrave të aplikimit për dokumentet e reja të identitetit, letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike.