E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrat e jashtëm të vendeve të Adriatikut, urojnë Bashën për anëtarësimin në NATO

Ministrat e Jashtëm nga vendet Baltike dhe vendet e Adriatikut, të mbledhur në Rige të Letonisë, kanë uruar Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësimin e tyre në NATO, ku pikërisht në takimin e 3 prillit në Strasburg do të bëhet dhe zyrtarizmi i pranimit të këtyre vendeve si anëtarë me të drejta të plota. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulëzim Basha vlerësoi lart bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. "Ne presim ditën kur Kosova dhe Serbia do të na bashkohen", tha Basha duke iu referuar anëtarësimit në NATO. Gjatë konferencës për shtyp pas këtij takimi, ministri Basha ka theksuar se ka prova të qarta se kjo politikë e dyerve të hapura është sukses, një sukses që sipas tij ka përmirësuar zonën e sigurisë, por edhe të demokracisë, lirisë dhe respektit të të drejtave të njeriut në Ballkanin Juglindor. Pjesëmarrësit e takimit Adriatiko-Baltik të Atlantikut, ministrat e Shqipërisë, Bosnje- Hercegovinës, Estonisë, Kroacisë, Maqedonisë, Letoninsë dhe Lituanisë si dhe përfaqësues të Malit të Zi dhe të SHBA-ve shprehën mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor, që të vazhdojnë rrugën e integrimit në NATO. Në deklaratën e përbashkët pas takimit u konfirmuan vlerat e bashkëpunimit politik, ekonomik të mbrojtjes mes këtyre vendeve të përfaqësuara në takim. Për herë të parë në këtë takim morën pjesë dhe dy anëtarë nga Bosnje- Hercegovina dhe Mali i Zi. Gjithashtu shefat e diplomacive të këtyre vendeve shprehën miratimin dhe vlerësimin për zgjedhjet e zhvilluara në fundjavë në Maqedoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›