Isinbaeva, “aeroplani rus” vendos rekord të ri botëror

Nuk ka lartësi që nuk kalon Elena Isinbaeva. Rusja, e konsideruar nga specialistët si "Sergei Bubka femër", jo vetëm që mbrojti titullin e saj olimpik, por vendosi edhe një rekord të ri botëror në kërcimin me shkop. Dy herë kampionia e botës realizoi rekordin e saj të tretë brenda një viti, por në "Pekin 2008" steka ishte e ngritur në 5.05 metra, që rusja e kaloi në provën e saj të tretë, duke mahnitur të pranishmit në stadiumin kombëtar "Foleja e zogut".
Nëse amerikani Majkëll Fepls është tani notari më i mirë i të gjithë kohërave, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për rusen Elena Isinabeva, duke e konsideruar atë si atleten femër më të mirën e të gjitha kohërave. Shifrat flasin. Elena e ka thyer rekordin botëror 23 herë. Ajo është e vetmja femër në botë që ka kaluar kufirin e pesë metrave lartësi. Dhe medaljen e artë të saj e fitoi vetëm me dy kërcime. "Ajo është Sergei Bubka e femrave', - tha historiani i Lojërave Olimpike, David Uollcinski.
Xhenifer Stuczinki e Shteteve të Bashkuara fitoi medaljen e argjendë me 4.80 metra, ndërkaq fituesja e medaljes së argjendtë në "Athinë 2004", rusja Svetlana Feofanova fitoi medaljen e bronzit me 4.75 metra. Fillimisht Isinbaeva hyri në garë me 4.70 metra, duke e kapërxyer këtë lartësi pa asnjë problem. Rivalët e saj nuk u ndalën dhe steka u vendos në 4.80 metra. Feofanova dështoi në 4.80m, por Stuczinski arriti ta kalojë atë në përpjekjen e parë. Amerikania u ndal më pas në 4.85 metra. Isinbaeva kaloi 4.85 metra duke marrë medaljen e artë, por më pas synoi thyerjen e rekordit botëror
ATLETIKË – Irving Saladino hyri në historinë e Lojërave Olimpike të Panamasë, pasi u bë atleti i parë që fiton një medalje të artë olimpike për këtë vend. Kampioni në fuqi i botës, 25-vjecari Saladino, fitoi garën e kërcimit së gjati. Më parë medalje bronzi kishin fituar për Panamanë sprintieri Llojd Lëbic, i cili fitoi në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 1948 në 100 dhe 200 metra. Saladino kërceu 8.34 metra. Admir Bregu, atleti më i mirë shqitar në kërcim së gjati, rekordin e tij e ka 7.89 metra.
GJIMNASTIKË - He Kezxin i dha medaljen e shtatë të artë në gjimnastikë Kinës, duke mposhtur rivalen më të madhe të saj, amerikanen Nastai Liukin. Të dy grumbulluan 16.724 pikë, dhe patën të njëjtën vështirësi (7.7) në ekzekutimin e ushtrimeve, por në bazë të rregullores së gjimnastikës artistike, medalja shkoi te He, pasi ajo bëri më pak gabimeve se Liukin. Për He Kezxin kjo ishte medalja e dytë pasi fitoi më parë me ekipin kinez, më 13 gusht. Liukin ka fituar deri tani katër medalje në total në "Pekin 2008", 2 të arta, një argjendi dhe një bronzi . Medaljen e bronztë e fitoi në gjimnastikën artistike e fitoi Jang Jilin me 16.650 pikë.