Islami: Ja si do zgjidhen deputetët në vitin 2009
Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami sqaron formulën matematike të ndarjes së mandateve. Partitë e vogla rrezikohen nga llogaritë e të mëdhenjve.
TIRANE-Ekspertët socialistë kanë zbuluar tashmë formulën mbi bazën e të cilës do të bëhet ndarja e mandateve të deputetëve. Formula matematike që do të vendoset edhe në Kodin Zgjedhor është shpjeguar dje, nga sekretari për çështjet elektorale në PS, Kastriot Islami, por duket se diçka është pranuar edhe nga partia e madhe e maxhorancës, PD-ja në komisionin e reformës zgjedhore. Ky komision tashmë është në fund të mandatit të tij dhe njëherësh pritet përfundimi i Kodit të ri Zgjedhor. Nga ajo që vihet re edhe me formulën e propozuar, partitë e vogla, të cilat nuk kanë shanse të fitojnë ndonjë përqindje të madhe në këto zgjedhje nëse dalin të vetme, nuk kanë ndërkaq as shanse për të fituar ndonjë deputet. Eksperti socialist, deputeti Kastriot Islami sqaroi dje për median se metoda që mund të përdoret për ndarjen e mandateve mes partive është edhe ajo që quhet “metoda e De Hontit”. Sipas tij, kjo metodë që konsiderohet më e thjeshta sqarohet në këtë mënyrë. “Merren përqindjet e partive politike dhe renditen sipas madhësisë së tyre në krahun e majtë, kurse në planin horizontal vendosen ato që quhen pjesëtues. Në rastin e metodës së “De Hontit”, pjesëtuesit janë 1, 2, 3, 4, 5,…, pra seria e numrave natyrorë dhe pjesëtohen përqindjet që janë vendosur në kolonën majtas me serinë e këtyre treguesve dhe këto japin një tabelë me disa shifra për secilën parti”. Sipas Islamit, “nëse një zonë elektorale, pra një qark, të themi ka 13 deputetë, 13 partitë që kanë shifrën më të madhe fitojnë një deputet”. I njohur për aftësitë e tij në çështjet elektorale, Islami ka shpjeguar ndërkaq edhe formulën matematikore, e cila do të sanksionohet në Kodin Zgjedhor dhe që do të zgjidhë mënyrën e ndarjes së deputetëve për çdo qark. Kjo llogaritje duhet të bëhet para asaj të parës, sqaroi Islami. Ai sqaron se në Parlament do të ketë një ligj të veçantë për përcaktimin e numrit të deputetëve për çdo qark. Dhe kjo ka një mënyrë të veçantë se si do të bëhet. Numri total i votuesve në të gjithë Shqipërinë do të pjesëtohet me numrin total të deputetëve që ka Parlamenti shqiptar. Nga ky raport del një kuotë. Duke zbritur në nivel qarku, më pas komisionerët që do të llogarisin votat do të pjesëtojnë numrin total të votuesve të qarkut me kuotën që doli nga raporti i parë. Nga raporti i dytë del shifra e deputetëve që i takon për qarkun përkatës. Nga ky raport mund të dalin edhe shifra me presje dhjetore, por fillimisht ky qark do të marrë aq deputetë sa është shifra para presjes dhjetore. Më pas nëse nga shuma e këtyre pjesëve të plota para presjeve nuk është plotësuar numri 140 i deputetëve të Kuvendit, “mandatet që mbeten ndahen sipas qarqeve për ato që kanë presje dhjetore më të mëdha në renditjen e tyre”, - ka sqaruar Islami.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)