E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami-Nishani, replika për kartat

Në mungesë të sallës parlamentare, debati mes opozitës dhe mazhorancës për kartat e identitetit po zhvillohet në korrespondencë, përmes letrave zyrtare nga Partia Socialiste në Ministrinë e Brendshme dhe anasjelltas. Sekretari për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, përmes një tjetër letre në adresë të ministrit Bujar Nishani kërkoi dje sërish informacione nga ky institucion për ecurinë e pajisjes me karta identiteti. Disa orë më vonë, në një komunikim me mediat, ministri i Brendshëm deklaroi se pavarësisht qëndrimeve që mban opozita, janë plotësuar kushtet që çdo shtetas pa pasaportë që ndodhet në Shqipëri do të ketë mundësinë e duhur që të pajiset me kartë identiteti. "Me rregullin e ri që vendosëm me koncensionarin dhe bazuar në kapacitetet reale që kemi në terren, sigurohet pajisja edhe e rreth 400000 shtetasve të tjerë deri në mesin e muajit qershor, me kushtin e vetëm që ata të jenë në Shqipëri dhe të paraqiten për të aplikuar", tha Nishani.

Paraditen e djeshme, në një letër të gjatë me tetë pika në të, Islami vë në dukje jo vetëm mungesën e seriozitetit që po tregon ministria dhe akuzat që ai i konsideron absurde drejtuar PS-së, por edhe disa rezultate që kanë dalë pas të dhënave që ministri u dorëzoi në datën 27 maj. Socialistët kërkuan edhe zgjidhjet që ka menduar të ofrojë ministria për të kapërcyer ngërçin e kartave. Islami shkruan se bazuar te letra që ka ardhur në selinë rozë nga MB-ja në datën 27 maj, më në fund vetëm dy javë para përfundimit të procesit të aplikimit të votuesve pa pasaportë pranohet se ka përfunduar shtrirja e rrjetit të posteve të aplikimit në të gjithë vendin. "Edhe për këtë tregues informacionet e MB kanë qenë të paplota dhe të pasakta", deklaroi Islami. Më tej, ai theksoi se situata e aplikimeve është mjaft e vështirë në qarqet Kukës, Dibër, Shkodër dhe Lezhë. Sipas tij, probleme ka në gjithsej 234 zyra të Gjendjes Civile nga 447 zyra në të gjithë vendin. Për rrjedhojë, duke pasur parasysh se mbeten edhe 17 ditë pune deri më 12 qershor 2009, çdo stacion aplikimi mund të realizojë praktikisht gjatë kësaj periudhe jo më shumë se 400 aplikime të votuesve pa pasaportë. Ndërsa Nishani bëri të ditur se deri në datën 28 maj kanë aplikuar 1132806 shtetas për letërnjoftimet elektronike dhe janë prodhuar 990962 të tilla. "Nga aplikimet e bëra kemi hedhur në sistemin e kontrollit 1013359 aplikime, nga të cilat rezulton se 420000 janë pa pasaportë, numër i cili po t‘i referohemi totalit të aplikimeve të deritanishme, e kalon shifrën 450000", tha ai. Nishani vuri në dukje se është rënë dakord me koncensionarin që ditët e punës do të vazhdojnë gjatë të shtatë ditëve të javës dhe orari ditor do të jetë nga ora 08:00-13:00 paradite dhe nga ora 17:00-21:00 pasdite. "Kështu që siç shihet janë të gjitha kushtet, çdo qytetar që nuk ka pasaportë dhe është në Shqipëri, do të pajiset me letërnjoftimin elektronik", përfundoi ministri i Brendshëm.

Zyrat ku ka probleme, sipas PS-së

Berat (në 9 zyra të Gjendjes Civile)

Dibër (në 30 zyra të Gjendjes Civile)

Durrës (në 14 zyra të Gjendjes Civile)

Elbasan (në 32 zyra të Gjendjes Civile)

Fier (në 32 zyra të Gjendjes Civile)

Gjirokastër (në 8 zyra të Gjendjes Civile)

Korçë (në 15 zyra të Gjendjes Civile)

Kukës (në 20 zyra të Gjendjes Civile)

Lezhë (në 16 zyra të Gjendjes Civile)

Shkodër (në 24 zyra të Gjendjes Civile)

Tiranë (në 24 Zyra të Gjendjes Civile)

Vlorë( në 12 zyra të Gjendjes Civile)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›