Topalli: Jemi krenarë për atë që kemi bërë deri më tani
Turin e saj elektoral me moton "Shqipëria po Ndryshon", Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka vijuar në tri komuna të Dibrës, në Maqellarë, Kastriot dhe Fushë Aliaj. Në këto takime ajo prezantoi aspirantët për deputetë të ardhshëm të Qarkut Dibër: Jemin Gjana, Sherefedin Shehu, Bedri Hoxha, Selami Xhepa, Marjana Bulku dhe Dhurata Çupi. Gjatë fjalimit të saj, Topalli ka theksuar se "në këto 4 vite, çdo ditë, çdo muaj kemi menduar si të kapërcejmë veten, si të kapërcejmë përtej atyre premtimeve që kemi realizuar. E kemi bërë me rrugët nacionale, me energjinë elektrike, me laboratorë kompjuterikë". Sipas saj, kurrë Shqipëria nuk ka qenë më dinjitoze dhe më e respektuar se tani. "Kurrë nuk më është dukur më i bukur flamuri shqiptari sesa kur ngjitej mes flamujve të kombeve të tjera", nënvizoi Topalli. Ndërsa në takimin e realizuar në Fushë-Aliaj, Topalli ka theksuar se "në mandatin e parë ne kemi bërë atë që ishte gati e paimagjinueshme. Katër vite përpara gjetëm një Shqipëri, të radhitur si e para në vendet më të korruptuara, si vendi me monopolet më të mëdha, me kriminalitetin më të madh. Sot kemi një Shqipëri që është shpallur me qeverinë e saj si kampione në luftën kundër korrupsionit. Sot kemi një Shqipëri që ka një imazh tjetër, sot jemi në NATO. Sot jemi shumë afër BE-së". Duke u ndalur në sulmet politike ndaj kundërshtarit, Topalli tha se përballë nuk kemi Partinë Socialiste. "Ata që kanë Bashkinë e Tiranës në dorë janë një kryesi dhe një grup parlamentar të cilët janë të lidhur vetëm me interesa ekonomike, vetëm me klientelizëm, vetëm me 15 përqindëshat, vetëm me lejet e ndërtimit", theksoi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.