E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: “Nuk heqim dorë nga proporcionali rajonal”

Deputeti i LSI-së kërkon ndërhyrjen e Topit ndaj qëndrimeve të PS-PD-së për ndryshimin e Kushtetutës. Braho, akuza Ramës dhe Gjinushit: “Shkatërruan të majtën”

Shaban Sulçe

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, komenton amendamentet kushtetuese të propozuara nga Partia Demokratike për ndryshimin e Kushtetutës. Duke iu referuar ndryshimeve për nenin 93, të cilat prekin kompetencat e Presidentit të Republikës, Braho thekson se këto ndryshime nuk duhet të miratohen, pasi i shkojnë për shtat planit të Berishës për të shpërfytyruar Kushtetutën. Deputeti i LSI-së i ka bërë thirrje Presidentit Topi që si garant i Kushtetutës të ndërhyjë dhe të mos lejojë atë çka ai e quajti atentat i përgatitur nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Braho ka komentuar edhe zhvillimet më të fundit brenda së majtës. Ai ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama dhe kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, se kanë shkatërruar të majtën dhe se po bashkëpunojnë ngushtë me kryeministrin Berisha.
Zoti Braho, si do t’i komentonit amendamentet kushtetuese të paraqitura nga deputetët e PD-së në Komisionin e Ligjeve, ndër të cilat spikaste edhe ndryshimi për nenin 93, që ka të bëjë me kompetencat e Presidentit të Republikës?
Amendamentet Kushtetuese të futura në mënyrë klandestine në Komisionin e Ligjeve, jo vetëm ato për reformën zgjedhore, por edhe ato për kufizimin e kompetencave të Presidentit dhe Mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, jo vetëm tejkalojnë tagrin e Komisionit të Ligjeve, por janë shprehje e hapur e qëndrimit që mund të konsiderohet atentat ndaj Kushtetutës së Shqipërisë, të cilën Sali Berisha, duke përfituar nga marrëveshja dhe debolesa e PS-së, kërkon ta shpërfytyrojë me dy qëllime. Ai kërkon të marrë kompetenca të jashtëzakonshme dhe të gjunjëzojë presidentin, duke e kthyer në një leckë të pavlerë institucionale, të barasvlershme me një zëvendësministër, sa kohë që dekretet e tij janë të pazbatueshme dhe sa kohë që ato nuk firmohen.
Duke hapur këtë lojë të “rregullimeve kushtetuese”, Berisha përsëri hedh një gur në pus, për të zhvendosur vëmendjen e politikës dhe për të tërhequr vëmendjen nga krimi shtetëror i Gërdecit. Duke krijuar këtë alibi, ai përsëri hedh tym për të devijuar kërkesat e opozitës për largimin e tij, duke përfituar nga prirja që ka Rama për ta mbështetur, sa kohë që çdo ditë e më shumë zbehen kërkesat dhe qëndrimet e PS-së për largimin e tij.
Ju thatë se këto amendamente janë një atentat ndaj Kushtetutës. Cili mendoni se duhet të jetë reagimi i presidentit Topi?
Presidenti, si garant i Kushtetutës, nuk duhet të rrijë si guhak dhe të organizojë dreka dhe darka me një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike, por të ndërhyjë dhe të mos lejojë prekjen e kompetencave që i jep atij Kushtetuta, të mos kthehet në një president kukull.
Le të flasim rreth zhvillimeve brenda kampit të majtë. Dy ditë më parë, kryetari i PS-së Edi Rama dhe kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi, munguan në tryezën e organizuar nga partitë e opozitës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për reformën zgjedhore. Cili është komenti juaj?
Rama dhe Gjinushi tradhtuan dhe shkatërruan koalicionin e majtë dhe tashmë hesapet nuk i bëjnë me partitë e majta, por i bëjnë me Sali Berishën për të ndarë jo vetëm pushtetin, por edhe duke ecur sipas filozofisë “mos më ngacmo, që mos të të ngacmojë”. Partia Socialiste është kthyer në tabor teknokratësh të tredhur nga Edi Rama dhe autoritarizmi i tij. Atyre u mungon guximi dhe kuraja të flasin hapur, edhe pse një pjesë e mirë e tyre flasin nën zë kundër Ramës dhe politikës së ndjekur prej tij.
LSI-ja është shprehur vazhdimisht kundër sistemit proporcional rajonal të propozuar nga Partia Socialiste. Ky qëndrim kundër këtij sistemi ka të bëjë thjesht me interesat partiake të LSI-së, apo është më i gjerë?
Ne nuk prekemi nga ky sistem, por ama edhe nuk do të lejojmë që të ketë ndikim negativ. Ajo gijotinë që po përgatitin Partia Socialiste dhe Partia Demokratike shkatërron pluralizmin politik në Shqipëri, por mbi të gjitha mban Berishën në pushtet. Kjo është arsyeja që ne e kundërshtojmë sistemin e propozuar nga Partia Socialiste.

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›