Rama: “Politika e re në funksion të interesave të shqiptarëve”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka vijuar turin “Dialog me Shqipërinë” me takime të zhvilluara në fshatin Bitinckë të Devolli dhe në qytetin e Pogradecit. Gjatë këtyre takimeve dhe bashkëbisedimeve me banorët, Rama është fokusuar në problemet e shumta sociale që ndeshin shqiptarët sot, dhe sidomos problemi i rritjes së nivelit të varfërisë. Gjatë takimit të zhvilluar në qytetin e Pogradecit, Rama theksoi se tashmë ka ardhur koha që politika të vihet në funksion të interesave të njerëzve. “Politika nuk është kjo, politika është diçka tjetër, është pasioni për të ndryshuar realitetin që na rrethon, është mundësia që na jepet, që këtë pasion ta kthejmë në fuqi të jashtëzakonshme, për të realizuar gjëra që duken të pamundura dhe që gjëra që nuk mund të realizohen të vetëm, kur jemi pak, por që gjëra që mund të bëhen realitet nëse ne do të jemi shumë. Në rast se politikën e vëmë në funksion të interesave të njerëzve, në rast se politikën e kthejmë në një mekanizëm që bën realitet ëndrrat e njerëzve. Kjo është politika. Politika nuk është ngritja e mureve dhe e gardheve mes shqiptareve dhe shqiptarëve, duke i ndarë dhe duke i përçarë sa majtas e djathtas, sa andej e sa këndej, ne emër të një të shkuare që vazhdon të rëndojë mbi një të ardhme”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.
11 Prill 2008