E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Po përgatitemi për rezistencë paqësore

 

Aristir Lumezi

Sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami i dha dje ultimatum kryeministrit Berisha për dhënien falas të kartave të identitetit, për ata shtetas që nuk kanë pasaporta. “Të hiqet taksa e votimit dhe Karta e Identitetit për votuesit pa pasaportë të trajtohet si mjet identifikimi vetëm për votimin në 28 qershor 2009. Nga ana tjetër, qeveria duhet të gjejë zgjidhjet e përshtatshme në përdorimin e saj për të gjithë shërbimet e tjera pas zgjedhjeve të përgjithshme”, tha dje Islami në selinë rozë pas daljes së deputetëve socialistë nga seanca e Kuvendit. 
Islami madje u shpreh se PS do të hidhet dhe në protesta bashkë me qytetarët, të cilëve u mohohet e drejta e votës. “Nëse situata nuk ndryshon PSSH do të përshkallëzojë shprehjen e refuzimit ndaj këtij procesi tanimë qëllimisht të dështuar e të kompromentuar nga qeveria”, tha Islami. Një javë më parë, sekretari socialist kishte kërkuar marrjen e masave nga qeveria që të hiqte sipas tij taksën e votës dhe në rast të kundërt PS do të shprehej për qëndrimin e saj. Islami tha se vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave për lehtësimin e disa kategorive sociale nuk e lehtëson aspak procesin, madje e komplikon atë. “Me deklaratën e fundit dhe Vendimin e djeshëm të KM; Kryeministri ka pranuar përfundimisht gabimin e vendosjes së taksës së votës, por nuk ka marrë asnjë masë për heqjen e saj dhe nuk ka ofruar zgjidhjen e përshtatshme. PSSH vlerëson se për shkak të paaftësisë deri më sot, por mesa duket edhe mungesës së vullnetin të qeverisë, problemi i pajisjes së votuesve pa pasaportë mbetet i pazgjidhur dhe shumë më i rrezikuar se asnjëherë tjetër deri tani. Gjendja është alarmante”, tha Islami. Sekretari socialist foli hapur dje se PS nuk do të pranojë zgjedhje pa karta identiteti. “Nëse Sali Berisha mendon se mund të kontrollojë rezultatin e zgjedhjeve, duke kthyer në farsë provimin e madh të 28 qershorit PSSH deklaron se nuk mund të ketë zgjedhje po qe se edhe një shqiptar nuk arrin të votojë për shkak të taksës së votës. PSSH me këtë rast u bën thirrje njerëzve të përgatiten shpirtërisht për të shpëtuar demo-kracinë në rrezik me rezistencë paqësore”, tha Islami. Sekretari i selisë rozë në emër të partisë, që përfaqëson i bëri thirrje qytetarëve që mund të përballojnë tarifën e aplikimit të shkojnë në qendrat e aplikimeve për karta. “Askush të mos vonojë të aplikojë nëse e përballon taksën e votës”, tha Islami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›