Premtimi i Berishës: Do barazojmë pensionet e fshatit me ato të qytetit
Kryeministri Berisha ironizon programin e Partisë Socialiste për bujqësinë gjatë një takimi elektoral në Farkë. Kreu i qeverisë i është referuar sërish termit “sovranitet ushqimor” të përmendur nga kryetari i PS-së, Edi Rama, të cilin e quajti term të përdorur gjatë një tubimi antiglobalist. “Ajo që dua të kërkoj nga ju është që të jeni të vëmendshëm. Ju e dëgjuat programin elektoral të Partisë Socialiste, ku thuhej ‘sovranitet ushqimor’. Unë shfletova dhe pashë që teoria e ‘sovranitetit ushqimor’ ishte formuluar nga disa grupe marksiste-leniniste në Brazil, kur kishin organizuar një tubim antiglobal kundër tubimit kombëtar, për t’i dhënë fund varfërisë”, theksoi Berisha. Sipas tij, “në qoftë se zoti Rama servir platforma të tilla për fermerët e Shqipërisë, ta harrojë se mund të mashtrojë qoftë edhe një fermer të vetëm. Po ky grup që kishte shpikur doktrinën e ‘sovranitetit ushqimor’ antiglobal, është grupi që vite më parë i kishte dhënë gjysmë dajës së Edi Ramës, Sofo Lazrit, çmimin e ushqimit, ndërkohë kur ju i kishit vatrat bosh”. Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e nisjes së punimeve për rrugën Farkë- Baldushk, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 500 milionë lekë. Ky segment rrugor ka një gjatësi prej 14 kilometra. Ky është segmenti i parë i aksit Tiranë-Elbasan. Duke u ndalur në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se gjatë mandatit të dytë do të bëhet e mundur barazimi i pensioneve të fshatit me të qytetit. “Në 3 vite ne kemi vendosur në pensionet tuaja një shumë të njëjtë me aq sa është vendosur në 17 vite të marra së bashku. Ju i meritoni plotësisht ato. Unë ju garantoj se ky është vetëm hapi i parë i madh. Hapi i dytë i madh do të jetë barazimi i pensioneve tuaja me pensionet në qytet, sepse e meritoni plotësisht”, theksoi më tej Berisha.