E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa për qind do të jetë rritja ekonomike në 2009?

Donika Çapi 

Sa do të jetë rritja ekonomike në Shqipëri në vitin 2009? Përfundimisht: a do të prekemi apo jo nga kriza globale bankare, financiare, ekono-mike, globale? Shumica e prononcimeve në media dhe analizave ekonomike mbro-jnë idenë se patjetër që do të prekemi nga kriza, përderisa të gjitha vendet më të zhvilluara po preken prej saj. Përderisa jetojmë në epokën e globalizimit, pra atë të lëvizjes së lirë (në mallra e në njerëz) dhe tregtisë së lirë, “Shqipëria në krizë” është vetëm çështje ditësh Do të eksportojmë më pak, ngaqë ekonomia botërore, siç u tha edhe gjatë Samitit të G20 në Londër dhe në parashikimet e OECD do të tkurret me 2.7%.
Do të ndihet kriza, sepse remitancat do të zvogëlohen, siç edhe u pa gjatë tremujorit (150 mil dollarë më pak të ardhura në Shqipëri në krahasim me vitin e kaluar). Kriza do të ketë efekte në Shqipëri, sepse do të ulet niveli i kreditimit, për shkak se bankat e nivelit të dytë do të kreditojnë më tepër në lekë, duke u bazuar në normat e interesit të bonove të thesarit; interesat e kredive në euro do të rriten së tepërmi dhe kolaterali i kërkuar si garanci do të ketë minimalisht dyfishin, por edhe trefishin e vlerës së shumës së kredituar.
Të tria këto aspekte do të sjellin uljen e fuqisë blerëse dhe varfërimin e më të varfërve. Megjithatë sistemi bankar na bëhet i ditur se është i qëndrueshëm dhe depozitat tona janë të sigurta, edhe pse vërehet sipas raporteve të bankës qendrore, se paratë e mbajtura jashtë sistemit bankar kanë qenë në rritje në këto tre muaj.
Krejtësisht dakord me të gjitha këto diskutime, ato janë aq të qarta saqë edhe një person që nuk merr vesh nga ekonomia, unë vetë në këtë rast, arrin t’i kuptojë mjaft mirë e të besojë se Shqipëria vërtet që do të jetë në krizë. Prandaj e mirëkuptojmë faktin se dëgjohet përherë e më tepër në këto muaj të nxehtë para-elektoral (muajt elektoralë do të jenë vullkanik, llavë e nxehtë ngado nëpër Shqipëri!!!) se problemi kryesor për Shqipërinë sot dhe për qeverisjen e re nesër do të jetë pikërisht kriza ekonomike dhe, veçanërisht shpenzimet pa kriter pikërisht në kohë krize.
Por çështja është a duhen ngatërruar SHKAQET e krizës me RRJEDHOJAT e krizës?
Kur themi se jemi në krizë, besojmë se jemi faktorë të krizës apo pritës të saj? Jemi brenda sistemit që e polli krizën apo jashtë këtij sistemi? Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve bëhet, mendoj, e ngutshme nëse duhet të marrim masat e duhura për të cilat të gjithë jemi të interesuar. Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve ka rëndësinë e saj edhe në interpretimin që duhet t’i bëhet debatit mbi rritjen ekonomike për vitin 2009 dhe eventualisht rishikimit të përdorimit të fondeve buxhetore, ruajta e nivelit të kontigjencave në nivele 5% etj. Po ashtu ka vlerë kjo pyetje edhe nëse gjykohet rreth prononcimeve për prudencë me politikat qeveritare që bën FMN, BB dhe BERZH.
Pra 5%, 4%, 3%, 2%, 1%, 0% - sa do të jetë rritja? Z. Bell në një intervistë të dhënë në javën e fundit të shkurtit tha se nuk mund të bëhen parashikime të sakta për nivelin e rritjes ekonomike në Shqipëri, por edhe në rajon, sepse çdo shifër e dhënë në këto kushte ku gjendet sot ekonomia botërore do të duhej të rishikohej periodikisht. Situata e vendeve të zhvilluara është po ashtu e paparashikueshme. OECD ka parashikuar se vendet e zhvilluara do të kenë madje një rritje negative që mund të shkojë deri në 4%, ndërsa presidenti Obama shprehet optimist se masat efektive të marra gjatë 100 ditëve të qeverisjes së tij kanë dhënë që tani sinjale pozitive në SHBA. Pothuaj të gjithë janë dakord që në 2010 kriza do të kapërcehet. Madje, Kryeministri G. Brown shprehet se këto 10 apo 20 vjetët që do të pasojnë do të jenë vitet e mundësive të mëdha, pasi globalisht bota do të vihet të mendojë jo vetëm për ekosistemin, por do të mendojë seriozisht për një qeverisje globale, duke filluar nga institucionet financiare globale.
Pra, nëse Shqipëria është “në” krizë, brenda sistemit, njëlloj me vendet që realizuan përzierjen toksike që shpërtheu, siç thotë Stiglitz, nuk i mbetet veçse të fajësojë deregullarizimin financiar, pra t’ia hedhur fajin Phil Gramm dhe Alan Greenspan, të cilët pranuan se kishin gabuar duke menduar se edhe institucionet financiare mund të rregullojnë vetveten, e që ishin në favor të interesave super të ulëta; të fajësojnë konsumizmin e tejskajshëm, të tipit amerikano-verior- kreditorë të mirëqenies fiktive; të fajësojë miliarderët, CEO dhe menaxherët ekzekutivë, të cilët me përdorimin e bonuseve dhe pagave ekstremisht të larta, përfitonin fonde kursimesh dhe fonde pensionesh duke neglizhuar manxhimin e riskut. Shqipëria do ta bënte këtë duke u kujdesur ama që taksapaguesit të mos i shpallin luftë të drejtpërdrejtë e inatçore të pasurve, pasi ashtu si edhe vendet e tjera të zhvilluara do t’i duhej të mbronte idenë se lufta ndaj të pasurve nuk ka fitimtarë, sepse ekonomia ka nevojë për stimul dhe rrugëzgjidhja nuk mund të shihet tek ngritja e taksave as te penalizimi eksesiv i multinacionaleve, pasi investimi i tyre kapital hap vende pune, ndërkohë që rrënimi i tyre përkeqëson situatën.
Rrugëzgjidhja u pa te krijimi i Bordit të Stabilitetit Financiar (G20) thirrja se era e sekretit bankar ka mbaruar. Investimet publike dhe shndërrimi i benefiteve të tregut në vlerë sociale. Në rast se Shqipëria, pra është “në” krizë, këto janë masat që duhen marrë dhe ato janë pro-aktive, kanë qëllim reformator, pasi është koha për koordinim global. Këto janë masa që merren nga qeveritë dhe që kërkojnë përgjegjësi të plotë kolektive, konsensuale, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare. Por nëse Shqipëria është vetëm nën ndikimin e krizës (gjë që ka më shumë gjasa, pasi ende nuk bëhet fjalë ende tek ne për lëvizje të tilla kapitalesh, as për delokalizim, as për Credit Default Swaps të tipit AIG) atëherë masat që duhen marrë janë thjeshtë mbrojtëse. 
E mira e këtyre masave është se ato konvergojnë, të paktën me sa mundemi të shohim kështu me sy të lirë, në stimulimin e ekonomisë vendase, remitancat dhe eksportet që ulen do të detyrojnë në një farë mënyre shpërthimin e iniciativës sipërmarrëse brenda vendit, sidomos përpunimi i produkteve ushqimore apo bimëve mjekësore sa për të dhënë një shembull.
Pa dyshim që për këtë duhet politikë stimuluese fiskale me taksa të ulëta, që po të kombinoheshin me fronte pune të hapura nga një shtet rregullator që përdor investimin publik si aset, do të ishte edhe më frytdhënës. Ishte lajm i mirë që edhe Programi i PS-së për zgjedhjet e ardhshme të qershorit 2009 nuk parashikon ngritje taksash.
Fakti që kreditë ulen do të bëjë që t’u jepet një vlerë e shtuar kursimeve personale, duke i investuar ato në biznese të vogla e të mesme, më mirë sesa t’i investosh vetëm në blerje shtëpish dhe pasurish të patundshme. Në vend që të gjithë të ndërtojnë pallate, dikush do marrë përsipër edhe të rikonstruktojë ata që janë ndërtuar, apo të ndërtojë një park lojërash po pse jo një kopsht botanik.
Rrjedhimisht, duke na u dashur të mbrojmë ekonominë vendase  përballë krizës, qytetarët do të mësojnë të jenë më të përgjegjshëm për investimin e tyre, të studiojnë tregun dhe të sipërmarrin në fusha të reja dhe ende të pashfrytëzuara, si p.sh. në teknologjitë e reja të informacionit apo prodhimit.
Por për këtë do t’u duhet të vlerësojnë si të domosdoshëm shkëmbimin e informacionit dhe lëvizjen e lirë, pra arritjen e standardeve.
Me një fjalë, të qenit shkak i krizës detyron aksion në rang qeveritar, ndërsa përballimi i efekteve të krizës përkundrazi i jep vlerë veprimit personal, iniciativës së qytetarit, lirisë së tij për risi. Krizat lejojnë mundësi për zgjidhje dhe zgjedhje të reja. Qeveria ka për detyrë, si përherë, të monitorojë rregullat e lojës së sipërmarrjes së lirë, të jetë garant i procedurës dhe transparencës.
Ndrydhja e iniciativës sipërmarrëse në periudha krize mund të dëmtojë më tepër rimëkëmbjen ekonomike. Stimuli prej 1.1 trilion $ për të cilin u vendos në Londër ishte fondi më i madh i alokuar ndonjëherë në ndihmë të sipërmarrjes, me besimin se stabiliteti makro-ekonomik ruhet jo nga proteksionizmi, por nga transparenca. Tregjet më të mira nuk janë tregjet e mbrojtura, por tregjet konkurruese, pasi Proteksionizmi është rruga drejt shkatërrimit, tha G. Brown i Laburistëve anglezë, vendi më i goditur nga kriza në kontinentin tonë. Dhe jo vetëm ai, Samiti i G20 e cilësoi si arritje faktin që nuk u përqafua proteksionizmi si rrugëdalje, përkundër një farë zelli të cytur nga kriza, për rikthimin e marksizmit.
Ndërsa përsa i përket pyetjes “sa për qind do të jetë rritja ekonomike për Shqipërinë në vitin e ardhshëm?”, ajo mbetet ende pa përgjigje, pasi do të varet nga sa do ta shfrytëzojnë vetë shqiptarët terrenin e hapur përpara tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›