Kartat falas, PS bojkoton Kuvendin
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste bojkoton seancën e Parlamentit për shkak të mos plotësimit të kushtit nga maxhoranca qeverisëse për pajisjen me karta falas të shtetasve shqiptarë. Kur ka mbetur mbi një muaj nga mbyllja zyrtare e Kuvendit, ashpërsohet klima politike ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Pajisja e të gjithë shtetasve me karta falas përpara 28 qershorit është kushti i PS-së. Që në hapjen e seancës parlamentare të djeshme, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka bërë të ditur qëndrimin ekstrem të socialistëve për të mos marrë pjesë në seancën parlamentare. Zyrtarja e PS-së, Leskaj kërkoi heqjen “e taksës së votës, në të kundërt PS-ja nuk do të jetë e pranishme në seancë parlamentare”. “Qeveria po provokon kufirin e durimit të opozitës. Në qoftë se kujtoni se juve do të mbani pushtetin duke mbajtur shqiptarët larg kutive të votimit, kjo do të thotë që llogaritë i keni bërë gabim. Për sa kohë që dhe një shqiptar i vetëm nuk e paguan dot këtë taksë të turpshme të varfërisë, ne do të rezistojmë paqësisht, por vendosmërisht që e drejta e votës të mos cungohet. Duke shkelur të drejtën e votës ju po prishni zgjedhjet, ndaj dua t’u them se nuk ka zgjedhje pa zgjidhur këtë problem, ne kërkojmë atë që kemi deklaruar dhe herë të tjera. Hiqni taksën e votës! Hiqni barrierat që i pengojnë shqiptarët për të ushtruar të drejtën e votës. Për sa kohë që këto të dyja të zgjidhen natyrisht, që ne do të dalim nga Parlamenti”, deklaroi Leskaj. Ajo theksoi se, “sot po i bien edhe një herë kambanës së alarmit, duke deklaruar se zgjedhjet janë në rrezik, duke dalë nga Kuvendi për këtë çështje. Ne nuk mund të lejojmë që Sali Berisha të tallet me të drejtën kushtetuese të shqiptarëve. Vendimi i djeshëm i qeverisë jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por e konfuzion më tepër procesin, është një zgjidhje e cunguar që nuk i shërben procesit”. Ndërsa të majtët në bllok morën rrugën për të lënë sallën e seancave, kryeparlamentarja Topalli reagoi ndaj veprimit të tyre. “Ja politika e re, politikë që ik, që ka frikë nga zgjedhjet”, tha Topalli. Demokratët e dënuan një veprim të tillë, duke e cilësuar si të qëllimshëm dhe alibi për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Këtë qëndrim mbajtën demokrati Xhaferri dhe aleancisti Neritan Ceka. Ndërsa kryetari i grupit të PR-së, Arjan Madhi, duke e dënuar një veprim të tillë nga PS-ja e cilësoi si një akt të fundit të tyre. “Ky ishte akti final i opozitës, se qëllimi i opozitës nuk është qëllim në vetvete, por përkundrazi që ajo me çdo kusht dhe me çdo mjet duhet të frenonte procesin e pajisjes me karta identiteti. Opozita nuk do të mund të arrijë me çfarëdo lloj mjeti të bllokojë procesin. Sot që ne flasim janë ende 70 ditë në dispozicion që qytetarët pa pasaporta të aplikojnë për karta”, tha Madhi. Sipas tij, “PS-ja kërkon të komprometojë këtë proces në sy të ndërkombëtarëve me të ashtuquajturën dukuri të përgjithshme, po kërcënohen dhe po manipulohen zgjedhjet. Ky është një manipulim i pastër i opozitës”. Në seancën e djeshme nuk morën pjesë as deputetët e tjerë të LSI-së, PSD-së, të cilët nuk qëndruan në seancën parlamentare. Largimi i tyre bëri që në seancë të shtyheshin votimet e parashikuara për projektligjet në rendin e ditës. Gjithashtu u shty edhe debati në lidhje me raportin vjetor të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Në seancën e djeshme ishin prezent vetëm 27 deputetë të maxhorancës, kjo detyroi kryeparlamentaren Topalli të shtyjë për të enjten votimin e parashikuar në rendin e ditës.