E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi: Berisha të mos kandidojë si deputet

30/03/2005  Ish-sekretari Organizativ, thekson se ish-presidentët nuk mund të konkurrojnë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka mbështetur deklaratën e dy ditëve më parë të ish-presidentit Rexhep Meidani, duke konfirmuar se nga selia socialiste nuk i është bërë ndonjë ftesë këtij të fundit për ta vendosur atë në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së. Madje, ai i ka bërë thirrje dhe Berishës që të ndërmarrë të njëjtin vendim me Meidanin, të mos kandidojë. Sipas Koçit, "lajmi duhet të jetë shpikur nga institucione partiake, të cilat mund t'i kenë ofruar ndonjë ftesë zotit Mediani për deputet. Por kjo nuk ka ndodhur me Partinë Socialiste, dhe as me mua. Natyrisht, unë preferoj se me figura që kanë statut moral dhe politik të bashkëbisedoj dhe të komunikoj vazhdimisht dhe ky është një qëndrim qytetar. Duke parë se ka qenë President i Republikës dhe njëkohësisht duke kontribuar në atë që quhet kërkesë për rinovim të klasës politike, zoti Meidani nuk e quan të udhës të kandidojë për deputet". Gjithashtu, deputeti socialist i ka drejtur dhe një thirrje figurave të rikthyera në Partinë Demokratike, si dhe vetë Berishës, të ndjekin shembullin e ish-presidentit. Sipas Koçit, "u bëj thirrje të gjitha atyre figurave që, ndryshe nga zoti Mediani në të njëjta institucione, janë diskretituar përfundimisht dhe guxojnë të rikandidojnë, bile dhe për poste të nivelit sipëror të politikës ekzekutive", tha Koçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›