E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Rama si Mao Ce Duni, po tenton kompromis për të mbajtur Bashkinë

 Aristir LumeziDeputeti socialist Kastriot Islami në një intervistë ekskluzive për Panorama shprehet se deklarata e Edi Ramës se “mandatet e deputetëve nuk do të digjen” i ngjason citateve të Mao Ce Dunit. Sipas tij Kushtetuta percakton qarte sesi “fillon e mbaron mandati i deputetit”. Islami shprehet se nëse Rama do t’i qëndrojë kësaj sjelljeje radikale dhe luftës me “armiq të brendshëm të lidhur me armiq të jashtëm dhe të sponsorizuar nga armikun ndërkombëtar” atëherë PS do të humbë zgjedhjet e ardhshme dhe sipas tij, sponsorizuesi i vetëm i kësaj humbjeje do të jetë vetë kryetari i saj, i cili ka vetëm një qëllim, të bëhet kryeministër.  Zoti Islami, kryetari i PS është shprehur kohët e fundit pothuajse në të gjithë daljet publike se “mandatet e deputetëve nuk do të digjen”. çfarë nënkupton kjo deklaratë e zotit Rama në gjykimin tuaj?Mao-Ce-Duni ka praktikuar gjatë revolucionit kulturor kinez shumë citate. “..Nuk digjen mandatet..” është kthyer tanimë në “citat” të ngjashëm, pas të cilit maskohen dy kuptime. Për të qenë të saktë më duhet të pohoj se kjo terminologji nuk është kushtetuese, sepse në Kushtetutë flitet vetëm për 1) fillim të mandatit, 2) mbarim apo bërje të pavlefshëm të mandatit dhe 3) fillim të ushtrimit të mandatit. Asnjëherë nuk përmendet termi “digjet”, për mandatin e deputetit. Rama dhe socialistët e kuptojnë dhe interpretojnë këtë “citat të pakuptimtë” në mënyra të ndryshme. Rama qëllimisht e artikulon këtë “citat pa kuptim” në mënyrë të errët. Ai kujton se deputetët, të gjithë apo pjesërisht që i binden atij, janë naivë e nuk e kuptojnë thelbin e këtij citati dhe/ose nuk kanë guxim t’i kërkojnë kuptimin e tij të saktë e të vërtetë. Kjo do të thotë pa mëdyshje se deputetët do të futen në Kuvend deri në 4 mars 2010?Absolutisht jo. Kur Rama thotë këtë “citat” asnjëherë nuk thotë nëse deputetët do të futen në Kuvend deri në 6 mars për të bërë betimin. Nga ana tjetër, për të rritur në errësirë presionin politik ndaj të gjithë atyre që kërkojnë apo duan të futen në Kuvend, nxit herë pas here juristë të artikulojnë interpretimin e gabuar të Kushtetutës se “mandatet nuk digjen” edhe sikur deputeti të mos bëjë betimin deri në 6 mars 2010. Në takime konfidenciale, Rama i shmang deputetët që interesohen për fatin e mandatit të tyre 1) ose duke u bërë presion të “mbyllin gojën për këtë çështje se i ka vënë ai” ose 2) duke i thënë se “nuk jam budalla që t’ua djeg mandatet”, por asnjëherë nuk thotë qartazi nëse deputetët do të futen në Kuvend para datës 6 mars për të bërë betimin. Në thelb sipas jush, cili është qëllimi dhe synimet e kryetarit socialist që fshihen pas të gjithë kësaj sjelljeje që po mban PS?Rama ka vetëm një qëllim, të bëhet kryeministër dhe asgjë tjetër nuk i intereson, sfidë kjo që edhe atij vetë ka filluar t’i duket e pamundur. “Djegia e mandateve” duket sikur është vënë në këtë funksion. Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore është vënë në dyshim përsëri në këtë funksion. E ardhmja e PS është e dyshimtë duke ecur në këtë rrugë. Fatkeqësisht maxhoranca po akuzon PS se asaj nuk i intereson as realizimi i ëndrrës së shqiptarëve për liberalizimin e vizave, dhe kjo është një njollë që PS nuk e meriton. E njëjta akuzë po bëhet ndaj PS që ka kontribuar për integrimin evropian të vendit lidhur me fitimin e statusit të vendit kandidat. Interlokutorë pranë tij artikulojnë si synim të ndërmjetëm “negocimin në tavolinë me Berishën për Bashkinë e Tiranës”. Koha do të provojë vërtetësinë e të gjithë këtyre tezave që “këshilltarë” pranë Ramës shpërndajnë në eterin politik shqiptar.Këto që po thoni janë akuza të rënda ndaj kryetarit të PS, si mund t’i arrijë ai këto synime kur kërkon hapjen e kutive?PS është në opozitë dhe ka 6 muaj që nuk ka arritur as të 1) hapë kutitë dhe 2) as të sigurojë zgjedhje të parakohshme. Ne e kemi mbështetur në këto dy synime, por Rama ka dështuar. Nisur nga më sipër, Rama gjykon se Berisha mund të detyrohet apo “rrëzohet” përmes një rruge radikale dhe futjes së vendit në krizë gjithnjë e çdo ditë e më të thellë. Prandaj dhe nuk ka as strategji të miratuar e transparente, asnjë program të shpallur, as afate, dhe as një mënyrë daljeje nëse kjo skemë radikale nuk do të funksiononte. Nga analiza e tezave të mësipërme, ai mesa duket ka llogaritur dy “prita” në funksion të arritjes së qëllimit të tij përmes një rruge radikale, që mendon se do të zmadhojnë krizën 1) “duke mos i lejuar deputetët të bëjnë betimin deri në 6 mars 2010” dhe/ose 2) të mos futet në zgjedhjet vendore. Dhe moslejimin e deputetëve për të bërë betimin tenton ta maskojë me “citatin e mos djegies së mandateve”. Ka pasur interpretime të ndryshme të Kushtetutës për çështjen e mandateve të deputetëve të opozitës, çfarë ndodh nëse deputetët e PS nuk bëjnë betimin deri në 7 mars sipas jush?Në nenin 71 pika 2. të Kushtetutës shprehen qartë të gjitha rastet kur “mbaron apo bëhet i pavlefshëm mandati i deputetit”. E thënë më shkoqur juridikisht, nëse deri në 6 mars 2010 deputeti socialist i këtij Kuvendi nuk “futet në Kuvend”, atëherë mandati i tij mbaron. çdo tentativë tjetër për të interpretuar ndryshe juridikisht këtë dispozitë, do të ishte e dështuar. Vlerësimi politik i kësaj dispozite, pasojat dhe kostoja përkatëse janë tërësisht individuale e natyrisht kolektive për PS. Shumë herë është thënë se shumica e deputetëve socialistë janë për mosdjegien e mandateve, por askush nuk ka dalë ta mbrojë këtë opsion. Cili është opinioni i tyre në këtë fazë të zhvillimeve politike në vend?Pothuajse të gjithë apo pjesërisht, deputetët socialistë mendojnë se do të futen në kuvend në limitin e fundit, pra në datën 4 mars 2010, thjesht për të bërë betimin, fituar përfundimisht mandatin dhe dalë e vazhduar bojkotin. Ky është mendimi që shumica artikulojnë konfidencialisht midis tyre, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, edhe së fundmi në KE. Në realitet këtë interpretim që ata vetë bëjnë, asnjëherë nuk e kanë dëgjuar me veshët e tyre nga goja e Ramës. Kjo tregon se në çfarë niveli mungese transparence është situata në PSSH, askush nuk e di përse Rama nuk ja thotë qartazi këtë gjë kaq të rëndësishme, as në publik dhe as konfidencialisht, pra nëse do të futen në Kuvend deputetët e PS për të bërë betimin dhe kur do të ndodhë kjo gjë. Pothuajse të gjithë në media përsërisin pa u menduar gjatë “citatin e pakuptimtë” dhe kur i pyesin nëse do të futeni në Kuvend, përgjigjen me citatin tjetër “vetëm kur të hapen kutitë”. Po nëse “nuk hapen kutitë deri në 6 mars 2010”, nuk dinë më tej të përgjigjen në media, nëse do të futen për të bërë betimin megjithëse kutitë nuk janë ende hapur. Si shprehen deputetët socialistë në takimet tuaja informale jashtë forumeve në lidhje me mandatin?Konfidencialisht thonë se “do të futemi të gjithë në momentin e fundit edhe po nuk u hapën kutitë”, por edhe kjo, është thjesht hamendje e tyre se edhe këtë nuk kanë dëgjuar direkt nga Rama. Ndërkombëtarëve ju thonë se do të futemi në Kuvend në momentin e fundit, sepse duam t’i bëjmë deri në fund presion maksimal Berishës për hapjen e kutive. Kjo është tepër naive aq më tepër që këtë gjë tanimë për këtë çështje shprehet qartë rezoluta e Këshillit të Europës.Mendoni se do të pranonin të gjithë deputetët të “digjnin mandatet” e tyre?Në kushtet aktuale që është PS, askush nuk do të donte t’i futej rrugës së panjohur pa mandat deputeti. “Opsioni i kompromisit” i shumë deputetëve socialistë me Ramën është “bërja e betimit” në afatin limit kushtetues, pra në 4 mars 2010 dhe më tej dalja nga Kuvendi për të vazhduar bojkotin dhe protestat. Ka midis tyre edhe shumë që shkojnë më larg, pra janë kundër bojkotit, pra për tu futur përfundimisht në Kuvend dhe zhvilluar betejën politike aty. Rama i bindur në thelb për opsionin e “mosfutjes në Kuvend” ka hezitime të mëdha për këtë “opsion kompromisi” që vjen nga presioni i deputetëve dhe ndërkombëtarëve.  Sa sukses do të kishte për PS-në vazhdimi i bojkotit, nëse deputetët do të hynin në Kuvend vetëm për të bërë betimin dhe të dilnin sërish? Nëse Rama pranon këtë opsion a mundet të ketë jetë të gjatë bojkoti? Nëse përfundimisht Rama do të tërhiqej dhe do të pranonte që deputetët të futeshin vetëm për betimin në Kuvend dhe më tej të dilnin për të vazhduar bojkotin, pavarësisht të gjithë justifikimeve që do të jepeshin në këtë rast nga Rama, “skema për hapjen e kutive përmes bojkotit” do të goditej fuqimisht për të mos thënë do të rrëzohej. Moralisht skema e bojkotit do të ishte shumë më e dobët dhe lehtësisht e goditshme. Nisur dhe nga zgjedhjet e pjesshme për pushtetin vendor të pak muajve më parë, ka mundësi që PS të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme vendore? Për çfarë kërkesash Rama mund të pranonte një kompromis?Rama lëviz midis dy opsioneve 1) grupi kuvendor, i gjithë apo në shumicë, nuk futet në Kuvend dhe 2) grupi kuvendor futet në Kuvend thjesht për të bërë betimin dhe dalë menjëherë për të vazhduar bojkotin. Nëse ndodh opsioni i dytë, Rama i drejtohet “pritës” së zgjedhjeve vendore për të thelluar krizën përmes kërcënimit me bojkotin e tyre. Nëse ndodh opsioni i parë, Rama do të përpiqet të interpretojë se në Kushtetutë nuk është e qartë nëse “mbaron mandati i deputetit”, duke shkuar ndoshta pa shumë shpresë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë rast do t’i referohej më shumë argumentit politik duke theksuar se “vendi është pa opozitë” dhe “tani krizës së kutive i është shtuar kriza kushtetuese dhe kriza e eliminimit të opozitës nga maxhoranca”.  Edhe kjo betejë mund të vazhdonte deri në zgjedhjet vendore, përsëri i vendosur për t’i bojkotuar. Ndërkohë do të vazhdonin në çdo rast tri kërkesa 1) të hapen kutitë, 2) zgjedhje të parakohshme dhe 3) qeveri teknike pa Berishën. Ndërkohë nën rrogoz Rama mesa duket do të tentonte të siguronte një kompromis për 1) bashkinë e Tiranës dhe/ose 2) një ose disa nga drejtuesit e institucioneve kryesore (Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtori i SHISH, Kryetari i KLSH e tjerë; kjo e fundit e shprehur edhe publikisht. Ditët e fundit, si kreu i PS-së Edi Rama ashtu dhe sekretarja për marrëdhëniet me Jashtë Dade, ju kanë akuzuar se keni shkuar në Bruksel të sponsorizuar nga Sali Berisha. Cili është komenti juaj për këtë akuzë?Kjo është banale dhe qesharake dhe nuk mund të ulet në këtë nivel replika e një ish ministri të Jashtëm dhe anëtari të Asamblesë Parlamentare të KE. Thjesht unë komunikoj me ta si kolegë dhe mund t’i takoj sa herë të dëshiroj. Nuk po e zgjas se kjo është një tezë e mediokre dhe e ulët. Thelbi i këtij reagimi është gjetiu. Do ta nisja përgjigjen time duke komentuar sjelljen e Ramës në krye të PS-së. Kjo sjellje radikale e ka futur PS në qorrsokak dhe nëse nuk do të ketë ndryshim PS drejt humbjes/bojkotit të zgjedhjeve vendore dhe më tej edhe të zgjedhjeve të përgjithshme, do të mbetet në spiralen e humbjeve të njëpasnjëshme, të parashikuar nga vetë Rama. Kjo sjellje e Ramës mund të çojë gjithashtu në rrudhjen e PS. Nuk përjashtohet edhe deri një çarje tjetër të PS, gjë që Rama i ndodhur në panik e dëshpërim ka filluar ta nxisë intensivisht këto ditët e fundit. Skema e “armiqve të brendshëm” të lidhur me “armiqtë e jashtëm” dhe që “janë të sponsorizuar nga armiku ndërkombëtar” është paranojake. Ne në Bruksel kemi artikuluar të njëjtin qëndrim publik për bojkotin që shprehim prej 6 muajsh dhe nga Brukseli kanë folur personazhe të rëndësishme socialdemokrate të PE. Dhe gjykimi ynë dhe ai i eurodeputetëve ka qënë në rezonmancë të plotë: ndërprisni bojkotin. Prandaj Rama ka mllef dhe kërkon të hakmerret. Për të vijuar mund të shtoj se kjo sjellje e Ramës indirekt do të çonte në një fitore të tretë të sigurt të PD, dhe jo se ajo fiton, por sepse PS humb. Për rrjedhojë shërbëtori i kësaj fitoreje të Berishës dhe përgjegjësi i qartë këtë radhë i humbjes së PS, do të ishte vetëm Rama. Pra nuk ka asnjë tjetër person përveç Ramës që përmes kësaj rruge sponsorizon humbjen e PS dhe për rrjedhojë fitoren e PD. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›