Tomor, shkretohet nga firmat e gurit “Mali i Perëndive”
SKRAPAR/ DILAVER XHELILIMali i Tomorit po gërryhet dita-ditës nga shfrytëzuesit e gurit të tij, duke i shkaktuar dëme kolosale. Asnjë masë nuk është marrë deri tani për të ndalur këtë shkatërrim që po i ndodh "malit të Perëndive". Në pamje të parë, mali madhështor, i përmendur dhe në veprat e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë, nuk ngjan tjetër, veçse si një gurore gjigante. Firmat përpunuese të gurit dekorativ apo punëtorë individualë ngjiten në lartësitë e tij çdo ditë, duke e shfrytëzuar pa asnjë lloj kriteri këtë dhuratë të natyrës. Pjesa e zonës së Barbullasit, Novajt, brezat e hyrjes së malit sot janë shndërruar në pllaja të shkretuara. Mësohet se personat e interesuar sigurojnë prej shtresave të këtij mali gurin me ngjyrë, të njohur me emrin "gushëpëllumbi". Më pas, sasi të konsiderueshme të këtij guri ngarkohen me kamionë me destinacion vendet e Evropës, prej nga përfitimi është në përmasa të mëdha për pronarët që janë nga të gjitha rrethet e vendit. Specialistët e mjedisit janë shprehur për gazetën se është e patolerueshme që dhjetëra firma, me leje apo jo, po e shfrytëzojnë barbarisht këtë zonë turistike. "Firmat nuk preferojnë që të kryejnë punime në shtresat e thellësisë. Nëse e bëjnë këtë, për ta do të thotë më shumë krahë pune dhe për pasojë rritjen e numrit të personave që paguhen. Ato shfrytëzojnë gjatësinë e malit, duke gërmuar në pjesë që i mendojnë si zonat ku gurët mund të nxirren me lehtësi", shprehen specialistët, sipas të cilëve askush nuk po merr masa për të ndalur shkatërrimin e zonës turistike. Banorët e zonës përreth malit që ngrihet në lindje të Beratit, kur i pyet pse është krijuar kjo gjendje përgjigjen se janë të pafuqishëm përballë piratëve të gurit. Një prej tyre, Myftar Grepca, pohon se duke parë këtë katastrofë ata i janë drejtuar institucioneve të ndryshme, por nuk ka pasur asnjë reagim. Mali i Tomorit shkelet nga mijëra besimtarë bektashinj gjatë të gjithë muajve të vitit, e veçanërisht gjatë pelegrinazhit që kryhet prej tyre në muajin gusht. Por, çdo vit ata konstatojnë dëmtimet që po i bëhen malit të Perëndive, pasi shfrytëzuesit e gurit gërmojnë sipërfaqe të mëdha, duke dëmtuar plotësisht zonën e gjelbër, e cila nuk mund të ripërtërihet më. Veç vendasve ka dhe shumë turistë të huaj që vizitojnë këtë zonë, pasi kanë dëgjuar të flitet e të shkruhet për bukuritë e saj dhe për malin e shenjtë. Edhe më parë, mbrojtës të mjedisit janë shprehur publikisht për këtë shkatërrim masiv që po ndodh në malin e Tomorit, por fenomeni vazhdon të ndodhë, pa asnjë masë ndaj autorëve të papërgjegjshëm.