Përmbytjet, mbyllen dëmet në 2 komuna
SHKODER - Pavarësisht situatës atmosferike të rënduar nga shiu dhe temperaturat e ulëta vazhdon puna e grupeve të vlerësimit për përcaktimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytet. Një proces i tillë tashmë ka përfunduar në komunën Rrethina dhe atë Koplik Qendër. Aktualisht grupi i punës që ka kryer verifikimet në komunën Rrethina do t'i bashkangjitet grupit të verifikimit që po ndjek Bashkinë Shkodër, e konkretisht do të nisë verifikimet në banesat e zonës periferike të Livadheve, në brigjet e liqenit të Shkodrës. Gjithashtu, grupi i punës që ka kryer verifikimet në komunën Qendër Koplik të rrethit Malësi e Madhe, tashmë është zhvendosur në Bashkinë e Koplikut dhe Komunën e Kastratit. Sipas sekretarit të Këshillit të Qarkut Shkodër, Besnik Kastrati pritet që në fillim të javës të përfundojë procesi i verifikimit në komunën e Velipojës dhe Bërdicës përsa i përket verifikimeve të dëmeve në banesa. Puna më pas do të përqendrohet në komuna ku ka më shumë subjekte për t'u verifikuar, siç është ajo e Dajçit. Deri në fundjavë janë verifikuar gjithsej 643 objekte banimi, 488 subjekte bujqësore dhe 592 subjekte blegtorale. Ndërkohë që po sipas Kastratit mbetet për t'u bërë vlerësimi në një fazë të dytë për bizneset e bimëve dekorative, të ndodhura kryesisht në komune e Dajçit si dhe të pajisjeve të teknologjive dhe makinerive të bizneseve në zonat e përmbytura. r.d