Berisha: Perspektivë europiane për integrimin e Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, morën pjesë në Samitin e Kroacisë për integrimin e rajonit, nga ku Berisha deklaroi se ka marrë mbështetje të fortë për integrimin e Shqipërisë në BE. “Të gjitha janë vende anëtare të Bashkimit Europian dhe u shprehën qartë për perspektivën e sigurt europiane të Shqipërisë, në mënyrë eksplicite, Kryeministri i Francës, dhe të rajonit në përgjithësi. Pra unë mund të them se ky ishte një Samit vërtet shumë i dobishëm dhe, siç e dëgjuat ju, oratorët shprehën vizionin e tyre tërësisht në mbështetje të perspektivës europiane të Shqipërisë dhe të rajonit”, deklaroi Berisha. Kryeministri u shpreh për bojkotin e Serbisë ndaj këtij Samiti, pasi në të mori pjesë Kosova, duke thënë se “ideali europian duhet të jetë ideal udhëheqës për kombet tona dhe këto nuk pajtohen me mosdialog apo me qëndrime përjashtuese. Në këtë kontekst uroj dhe dëshiroj që këto praktika të marrin fund sa më shpejt”. Kreu i Qeverisë shqiptare u takua edhe më homologen kroate, si dhe zhvilloi takime të shumta. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm Ilir Meta u fokusua në marrëdhëniet mes vendeve të rajonit. “Rrjeti infrastrukturor strategjik dhe i ndërlidhjeve energjetike, është i pazëvendësueshëm për rritjen ekonomike dhe për të themeluar një treg të përbashkët, me stabilitet të gjerë dhe interes të shtuar për investimet e rëndësishme potenciale. Rajoni është rruga kryesore strategjike midis Lindjes dhe Perëndimit, për të gjitha linjat e naftës dhe gazit që vijnë nga Kaspiku për tregjet europiane. Vendet tona duhet të përfitojnë nga kjo mundësi që do ta shndërrojë në një rajon më të sigurt dhe më tërheqës”, tha Meta.