E Diel, 1 Nëntor 2026

Preçi: Të rritet kreditimi ndaj biznesit, BSH të ndikojë në këtë drejtim

Zef Preçi, një ndër ekspertët e ekonomisë shqiptare, vëren se biznesi po has vështirësi në kreditim nga bankat e nivelit të dytë, të cilat, siç thotë ai, kanë rritur interesat, japin më pak kredi dhe kanë rritur më shumë “marifetet” që rritin koston e shërbimeve të tyre ndaj këtyre bizneseve dhe qytetarëve. Ai e sheh këtë shqetësim në faktin që kredia kryesisht jepet në Tiranë dhe në disa qytete të zhvilluara të vendit, si dhe në kreditë afatshkurtra që jepen. Si ekspert ai sugjeron që pavarësisht përcaktimeve të sotme kushtetuese për rolin e pazëvendësueshëm të Bankës Qendrore, si autoriteti qendror monetar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, mendon se në përgjigje të situatave problematike në ekonominë shqiptare, maturitetit të krijuar në institucionet rregullatore të tregut dhe nevojës imperative për një përgjigje adekuate ndaj krizës ekonomike që po kalon bota dhe vete ekonomia jonë kombëtare, mendon se Kuvendi i Shqipërisë duhet të rishikojë rolin e Bankës dhe instrumentet e bashkëveprimit të saj me qeverinë. Sipas Preçit, BSH indirekt, si një institucion rregullator, përcakton dhe mbikëqyr edhe normat e interesit për huat bankare, duke ndikuar drejtpërdrejt jo vetëm në fitimin e bankave tregtare, por edhe në mbrojtjen e depozitave të qytetareve, në efektivitetin e përdorimit të tyre në ekonomi.

A po has biznesi vështirësi për të thithur kredi nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri?
-Kjo është vërtetë, si për shkak se edhe bankat tregtare janë pjesë e ekonomisë kombëtare dhe globale dhe janë dukshëm të ndikuara nga kriza, ashtu edhe për faktin së vështirësitë e biznesit janë shtuar shumë, sidomos këto dy vitet e fundit. Bankat janë të prira të investojnë në letrat me vlerë të qeverisë, me kredi afatshkurtër dhe me kolaterale (garanci në pasuri të patundshme) sa më të larta dhe sa më të sigurta në rast falimentimi të bizneseve kredimarrëse. Ndërkaq, ato kanë shtuar edhe një numër "marifetesh" që rritin koston e shërbimeve të tyre ndaj këtyre bizneseve dhe qytetarëve që mbajnë depozitat e tyre në to. Nga ana tjetër, bizneset janë nën goditjen konstante të administratës fiskale (shumë herë më të drejtë në emër të zvogëlimit të informalitetit), por fatkeqësisht shumë herë në rrugë administrative dhe herë-herë edhe selektive, gjë që vështirëson gjendjen e tyre financiare dhe së bashku me efektet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të krizës, ka ngadalësuar dukshëm shpejtësinë e qarkullimit të parasë dhe ka zvogëluar fuqinë paguese të bizneseve ndaj bankave për huat që ato kanë marrë edhe marrin. Normat e larta të interesit bankar, përqendrimi i procesit të huadhënies kryesisht në Tiranë dhe në zonat e tjera të vendit ekonomikisht më të zhvilluara, ofrimi i huave kryesisht për veprimtari biznesi afatshkurtër dhe pak ose aspak në makineri e pajisje apo në investime afatgjata në bujqësi, energjitike etj., së bashku me zvogëlimin e fuqisë blerëse të popullsisë duket se ka frenuar relativisht edhe kërkesën për kredi bankare, si dhe i ka bërë këto të fundit jo aq me interes për biznesin.

Si do ta vlerësonit ju nivelin e interesit për kreditë, pasi shpesh biznesi ankohet se interesat e larta janë një pengesë që bankat u bëjnë atyre?
-Biznesi ankohet për normat e larta të interesit bankar, i motivuar kryesisht nga interesi ekonomik, d.m.th. përpjekjet për të siguruar një normë sa më të lartë të fitimit nga aktiviteti i vet. Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me një interes të kuptueshëm të komunitetit të biznesit. Por, duke e mirëkuptuar shqetësimin e biznesit, mendoj se në kuadër të ekonomisë sonë kombëtare, po humbasim shumë nga politika e shtrënguar monetare e Bankës së Shqipërisë, e shprehur përmes mbajtjes në nivele relativisht të larta të normave të interesit bankar. Pavarësisht përcaktimeve të sotme kushtetuese për rolin e pazëvendësueshëm të Bankës Qendrore, si autoriteti qendror monetare në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, mendoj se në përgjigje të situatave problematike në ekonominë shqiptare, maturitetit të krijuar në institucionet rregullatore të tregut dhe nevojës imperative për një përgjigje adekuate ndaj krizës ekonomike që po kalon bota dhe vetë ekonomia jonë kombëtare, mendoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet të rishikojë rolin e Bankës dhe instrumentet e bashkëveprimit të saj me qeverinë. Kjo, me synim që të zgjerohet fusha e veprimtarisë në kahjen e zhvillimit ekonomik dhe stimulimit të këtij zhvillimi. Më konkretisht, mendoj se nuk është e mjaftueshme mbajtja nën kontroll e inflacionit (gjë për të cilën Banka Qendrore duhet lavdëruar), por përgjigjja ndaj krizës nuk mund të kuptohet pa zgjerim të punësimit dhe ky i fundit varet dukshëm, për të mos thënë drejtpërdrejt nga normat e interesit për kreditë bankare. Aq me tepër që rreziqet e sotme dhe ato në periudhën afatshkurtër duken të lidhura me dukurinë e kundërt - deflacionin dhe niveli aktual i inflacionit në ekonominë tonë kombëtare është ende nën nivelin e lejuar apo që mund të përbente një kërcënim për arritjet makro-ekonomike të kësaj ekonomie. Shkurt, ulja e normave të interesit, edhe pse mund të nxiste zhvlerësimin e monedhës sonë kombëtare (lekut) shihet si një rrugëzgjidhje e dobishme dhe që përshpejton minimizimin e efekteve të krizës, e cila gjithsesi nuk është kapërcyer ende dhe që vlerësohet se do të jetë e pranishme edhe për disa vjet të tjerë.

A duhet të kreditohet më shumë biznesi, si një shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit? Cili duhet të jetë roli i Bankës së Shqipërisë në këtë marrëdhënie mes biznesit dhe bankave të nivelit të dytë?
-Për qytetarët shqiptarë, depozitues të kursimeve të tyre monetare në banka apo kredimarrës apo që nuk kanë lidhje me asnjërën prej këtyre të dyjave, duhet të jetë e qartë se depozitat e qytetarëve, si burimi kryesor i huave bankare rregullohen nga shteti përmes institucionit të bankës qendrore. D.m.th. në këtë treg, ashtu si në telefoni, energjetikë etj., është enti përkatës rregullator që përcakton normat e fitimit për operatorët ekonomikë (në rastin e depozitave për bankat tregtare). Pra, indirekt Banka Qendrore, si një institucion rregullator, përcakton dhe mbikëqyr edhe normat e interesit për huat bankare, duke ndikuar drejtpërdrejt jo vetëm në fitimin e bankave tregtare, por edhe në mbrojtjen e depozitave të qytetarëve, në efektivitetin e përdorimit të tyre në ekonomi. D.m.th. duke qenë në favor të uljes së mëtejshme të normave të interesit për huat bankare, çmoj se duhet nxitur me çdo kusht kreditimi i ekonomisë, përndryshe pasojat e krizës do të jenë edhe më të mëdha dhe më të paparashikueshme. Kriza e sotme, ashtu si në vendet e tjera, kërkon një përgjigje të menduar mirë dhe të bashkërenduar të institucioneve kryesore që menaxhojnë ekonominë e vendit: qeverisë, bankës qendrore, si dhe të vetë komunitetit të biznesit dhe qytetarëve. E në këtë proces, ulja e normave të interesit për huat bankare vlerësohet se zgjeron kreditimin e ekonomisë dhe zbut papunësinë dhe varfërinë e krijuar prej saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›