E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Ultimatumi i fundit për Ministrinë e Brendshme

01/06/2009  Kartat, socialistët rikërkojnë të dhëna zyrtare për tri kategori votuesish

“Një përgjigje negative - tregues negativ në analizën dhe vlerësimin e procesit”

Informimi me të dhëna zyrtare të sakta mbi procesin e pajisjes së votuesve me letërnjoftimet elektronike shtyu sërish socialistë të dërgojnë për të tretën herë kërkesën Ministrisë së Brendshme lidhur me këtë çështje. Në përfundim të afati të përcaktuar për marrjen e këtyre të dhënave, selia rozë tërhoqi vëmendjen e kësaj ministrie për shkak të mosmarrjes së një përgjigjeje zyrtare e aq më pak të plotë. Arsyetimi i socialistëve është i thjeshtë, duke qenë se PS-ja ka ndjekur me shumë vëmendje e shqetësim procesin e pajisjes së votuesve me letërnjoftim, ndien nevojën e një analize të thelluar dhe vlerësimi integral të pajisjes së votuesve me letërnjoftimi, bazuar edhe në informacionet zyrtare që janë kërkuar. Sipas sekretarit për çështjet zgjedhore në PS Katsriot Islami, kërkesa synon marrjen e informacionit dhe bërjen transparent të të gjithë aktivitetit të kryer për pajisjen e votuesve me letërnjoftimi. “Të dhënat e kërkuara do të shërbejnë për të qartësuar situatën lidhur me votuesit që kanë pasaportë, votuesit që kanë aplikuar dhe votuesit që kanë aplikuar e kanë letërnjoftimi, të dhëna që zotërohen nga Ministria e Brendshme. Përmes kësaj shkrese PSja kërkon të marrë një përgjigje përfundimtare, të plote e të saktë për kërkesën e saj. Përndryshe ajo kërkon që Ministria e Brendshme të japë argumentet për të justifikuar përgjigjen e pjesshme, qoftë edhe negative nga ana e saj”, - u shpreh Islami gjatë komunikimit të djeshëm me mediet, ku bëri me dije dhe letrën dërguar për Ministrinë e Brendshme. Kësisoj, duke mos pasur ende një përgjigje zyrtare mbi kërkesën e saj, PS-ja rikërkoi në letrën e saj të tretë për Ministrinë e Brendshme “listën elektronike, me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numër pasaporte të votuesve me pasaportë të vlefshme, kjo e dhënë duhet të jetë e përditësuar me të dhënat deri më 28 maj 2009, nuk kërkojmë që në këtë listë votuesish të jepni të dhëna konfidenciale, që mund të binte ndesh me mbrojtjen e të dhënave personale; listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numrin e aplikimit të 1 013 359 aplikantëve për letërnjoftimi, pikërisht atë shifër që deklaroi ministri në konferencën për shtyp të datës 29 maj 2009, listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numër të aplikimit të të gjithë aplikantëve që kanë marrë në dorë letërnjoftimin, të përditësuar me të dhënat e datës 28 maj 2009”. Për selinë rozë mungesa e një përgjigjeje, qoftë dhe negative, do të vlerësohet tregues shtesë me ndikim negativ në analizën dhe vlerësimin e procesit nga ana e saj.

Përgjigjja e Ministrisë së Brendshme për PS-në

Ministria e Brendshme iu përgjigj kërkesës së ardhur nga PS-ja për kartat përmes një letre. “Ne ju vëmë në dijeni se deri ditën e djeshme, datë 29 maj 2009, kanë aplikuar 1 149 211 votues. Ne, për të verifikuar sa prej tyre janë nga grupi i atyre pa pasaportë, kemi hedhur në sistemin e kontrollit deri ditën e djeshme vetëm 1 012 905 rekorde, nga të cilat rezulton se 418 956 janë nga grupi i atyre pa pasaportë. Krahasuar përqindjet që zë numri i aplikimeve të votuesve pa pasaporte kundrejt numrit total të aplikimeve të hedhura në sistem dhe duke marrë parasysh numrin total të aplikimeve deri më tani, pritshmëria për votuesit pa pasaportë dhe që kanë aplikuar deri më 29 maj 2009 është më shumë se 460 000 votues”, - shkruhej në letër.

Qëndrimi i Partisë Socialiste

Partia Socialiste ka deklaruar dhe një herë qëndrimin e saj mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kështu, pas bërjes me dije të kërkesës mbi procesin e pajisjes së votuesve me karta identiteti, Islami theksoi se “PS-ja mbetet e angazhuar për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme, që mundësojnë çdo zgjedhës prezent në listën e votuesve të realizojë të drejtën e tij kushtetues të votës”. Po kështu, duke qëndruar në këtë linjë, sekretari për çështjet elektorale vuri në dukje se “PS-ja mbetet e vendosur të mos lejojë dhe pranojë ndryshimin apo transformimin e rezultatit të zgjedhjeve përmes lojës me letërnjoftimet, duke vazhduar të mbetet e angazhuar të respektojë zhvillimin e zgjedhjeve në 28 qershor 2009”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›