E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Më shumë punësim për gratë

01/06/2009  Premtimi i PS-së

Kandidatet socialiste në Qarkun e Korcës, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka e Irena Kallço, kanë zhvilluar një takim me gratë e qytetit të Korçës. Në fjalën e saj Kodheli tha se Shqipëria e veçanërisht gratë janë më të papuna se 4 vjet më parë dhe ndërkohë ka kërkuar votën për Partinë Socialiste për të bërë të mundur ndryshimin. “Përqindja e papunësisë te gratë është shumë mbi mesataren, mbi përqindjen e papunësisë në Shqipëri, e cila nga ana e vetë është një përqindje shumë më e lartë krahasuar me atë në Europë. Sot, në kohën e internetit, analfabetizmi ndër femra është absolutisht më i lartë se ndër djem dhe rritet me hapa galopantë. Sot, kur në Europë ka më shumë se kurdoherë gra që përfaqësojnë vendet e tyre në pozicione shumë të rëndësishme, Shqipëria pëson një dhunë në rritje ndaj grave dhe një indiferentizëm të pashoq të strukturave shtetërore ndaj këtij fenomeni të trishtueshëm”, - theksoi Kodheli. Punësimi i njerëzve është një ndër premtimet kryesore të kryetarit të PS-së Edi Rama, i cili ka shpjeguar se do ta luftojë këtë fenomen me politikën e re që do ndjek, por pa folur për hapat konkretë që do të ndiqen në këtë drejtim. Gjithsesi, duket se premtimet e Ramës si dhe fryma e politikës së re po adaptohen dhe nga kandidatët e PS-së në të gjitha rrethet e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›