E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roshi: Aleancat e majta s’janë zgjidhje për Shqipërinë

01/06/2009  PBKD çel fushatë në Tiranë, në çendër të programit çështja kombëtare

Të përndjekurit, pronarët, çamët dhe çështja e Kosovës prioritete

Partia Balli Kombëtar Demokrat ka zgjedhur Tiranën për të hapur fushatën e saj elektorale dhe për të paraqitur programin para zgjedhësve të saj. Sipas kryetarit të kësaj partie Artur Roshi, shtylla kryesore e veprimtarisë së kësaj partie është çështja kombëtare, pa lënë pas dore edhe të tjera pika të programit, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me ndjekjen e një politike të djathtë në zgjidhjen e tyre. PBKD-ja deklaron se mbështet fuqishëm koalicionin “Aleanca e Ndryshimit” dhe kohë pas kohe do të punojë brenda saj për të zgjidhur ato probleme që shqetësojnë të gjithë shqiptarët. Mbështetja ndaj pakicave çame, të përndjekurit ish-pronarët, dënimi i krimeve të komunizmit apo dhe çështja e Kosovës janë pikat bazë ku Balli Kombëtar Demokrat pritet ta përqendrojë aktivitetin e tij përgjatë katër vjetët e ardhshëm brenda koalicionit. “Ne do t’i mbështetim çamët fuqishëm, do të punojmë që qeveria shqiptare të ndihmojë që ata të fitojnë të drejtën e pronës edhe me mbështetje juridike dhe financiare në gjykatat europiane. PBKD-ja është aleate e natyrshme e të gjitha forcave politike të spektrit të djathtë. Ne jemi natyrshëm në krah të qendrës së djathtë dhe jo për interesa politikë të çastit. PBKD-ja është e palëkundur në qëndrimin e saj se partitë dhe koalicionet e majta nuk janë alternativë për Shqipërinë. Shoqëria shqiptare e ka të domosdoshme pastrimin e ndërgjegjes së saj nga e kaluara komuniste. Mungesa e transparencës të së shkuarës e ka futur shoqërinë në krizën e thellë morale të sotme. Pikërisht për këtë arsye duhet bërë hapja e dosjeve dhe jo për gjueti shtrigash. Por dekomunistizimi është diçka më e gjerë se kaq. Institucionet që rregullojnë dhe drejtojnë jetën e shoqërisë duhet të pastrohen nga mendësia komuniste e funksionimit. PBKD-ja synon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ne duhet të hyjmë në familjen evropiane me dinjitet, pa e cenuar identitetin tonë kombëtar, me vlerat tona të traditës historike, kulturën e lashtë, me personalitetin e pa cenuar nga askush. PBKD-ja kërkon domosdoshmërisht rishikimin e historisë së kombit shqiptar. Rivlerësimin e figurave kombëtare dhe aktiviteteve të tyre në dobi të çështjes kombëtare. Pastrimin e teksteve shkollore të historisë nga idhujt e rremë pseudodemokratë dhe pseudokombëtare. Riformatimin e muzeve në qendra edukimi me karakter kombëtar. PBKD-ja do të jetë garant i lirisë së medieve dhe do të punojë për përmirësimin ligjor të veprimtarisë së tyre”, - tha kryetari i kësaj partie Artur Roshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›