E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolli i shpenzimeve nga subjektet, KQZ-ja harton modelet

01/06/2009  Detyrimet e partive dhe donatorëve për të zbardhur fondet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë gjatë mbledhjes së sotme mbi modelin e regjistrit të posaçëm që do të përdorin subjektet zgjedhore për regjistrimin e fondeve që do të shpenzojnë për fushatën zgjedhore. Një model tjetër do të jetë deklarata që duhet të nënshkruajnë dhuruesit në çastin e dhurimit, e cila do të saktësojë shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Sipas burimeve nga ky komision, regjistri në fjalë do të jetë në formën e një tabele ku çdo subjekt do të shënojë llojin e aktivitetit, datën e zhvillimit të tij dhe vlerën e shpenzimit për këtë aktivitet. Për sa i takon deklaratës së dhuruesit, ajo do të përmbajë më shumë të dhëna lidhur me datën e dhurimit, subjektit që shkon dhurimi, formën e dhuratës, datën e dhurimit, identifikimin e plotë të dhuruesit, si dhe numrin e llogarisë bankare përmes së cilës kalon kjo shumë. Kodi Zgjedhor në nenin 90 të tij përcakton se në çastin e dhurimit dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se nuk ndodhet në asnjë nga rrethanat ndaluese të këtij kodi dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Gjithashtu lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhen kurdoherë publike. Ligji për zgjedhjet lejon që shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlera në sende ose shërbime. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike. Shuma totale që Këshilli i Ministrave ka përcaktuar për këtë proces zgjedhor është 65 milionë lekë, ose 5 milionë lekë më e lartë se shuma që qeveria akordoi për zgjedhjet e korrikut të 2005-s. Po nesër KQZ-ja do të caktojë vendin e numërimit të votave të ZAZ-së nr. 41, Qarku i Shkodrës.

Zgjedhjet 2005

Modele të ngjashme të regjistrimit të shpenzimeve të kandidatëve KQZ miratoi dhe aplikoi edhe në zgjedhjet e 2005-s, për 27 subjektet zgjedhore që garuan në zgjedhjet e 3 korrikut. Për shkak të përsëritjes së zgjedhjeve në disa njësi, subjektet nuk dorëzuan në kohë deklaratat.

Kandidatët

Detyrim për publikimin e shpenzimeve të zgjedhjeve ka edhe kandidati i propozuar nga shoqata e invalidëve, Abdullah Omari. Shpenzimi total që mund të kryejë ai nuk duhet të kalojë 50 % të shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›