Islami: Zgjedhjet, në rrezik dështimi
Socialistët deklaruan dje se 110 ditë larg zgjedhjeve parlamentare figurojnë 700 mijë zgjedhës pa aplikuar për letërnjoftimin. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami, tha se të dhënat janë alarmante në të gjitha aspektet, duke u afruar në kufijtë e rrezikimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. "Më 10 mars nuk është mbajtur premtimi për të filluar aplikimet në të gjitha njësitë e gjendjes civile; nga 331 njësi të gjendjes civile kanë filluar aplikimet vetëm në 118 njësi, pra vetëm në një të tretën e tyre", u shpreh Islami. Sipas tij, në 118 njësitë e gjendjes civile ku ka filluar aplikim, numri i plotë i votuesve pa pasaportë që duhet të aplikojnë është 543.163.