E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Zgjedhjet, standardet në rrezik

11/03/2009  Partia Socialiste radhit një sërë problemesh për pajisjen me kartat e identitetit

“Nga 331 njësi të gjendjes civile kanë filluar aplikimet vetëm në 118 njësi”

Të dhënat e deritanishme lidhur me procesin për pajisjen e shqiptarëve me kartat e identitetit solli sërish reagimin e ashpër të Partisë Socialiste. Madje, sipas kësaj partie, referuar po këtyre të dhënave, shihet një afrimin gjithmonë e më i madh drejt kufirit të rrezikimit të zgjedhjeve të lira. Sekretari për çështjet elektorale, deputeti i Partisë Socialiste Kastriot Islami, radhiti një sërë shqetësimesh dhe problemesh lidhur me këtë proces. “Të dhënat janë alarmante në të gjitha aspektet, duke u afruar në kufijtë e rrezikimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sot më 10 mars nuk është mbajtur premtimi për të filluar aplikimet në të gjithë njësitë e gjendjes civile”, - vuri ë dukje Islami lidhur me këtë çështje. Njëkohësisht, sipas tij, nga 331 njësi të gjendjes civile kanë filluar aplikimet vetëm në 118 njësi, pra vetëm në një të tretën e tyre. Gjithashtu deputeti socialist bëri me dije dhe numrin e deritanishëm të aplikuesve që nuk janë të pajisur me pasaportë. “Në 118 njësitë e gjendjes civile ku ka filluar aplikimi, numri i plotë i votuesve pa pasaportë, që duhet të aplikojnë, është 543 163, ndërkohë që 300159 votues pa pasaportë presin të aplikojnë në dy të tretat e njësive të gjendjes civile, që ende nuk janë hapur”, - vlerësoi Islami gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, sipas të dhënave që disponojnë, sekretari për çështjet zgjedhore në PS i mëshoi faktit se deri më 10 mars janë bërë vetëm 224 817 aplikime. Për këtë arsye PS-ja gjykoi se ky numër është shumë më i vogël se numri i atyre që janë pajisur me kartë identiteti. “Po ashtu duhet të kujtoj se kjo shifër është kaq për shkak të aplikimeve në Tiranë, ku një pjesë e mirë janë edhe votues me pasaportë. Nga llogaritjet bazuar në të dhënat zyrtare e operative, rezulton se numri i votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar është mbi 700 mijë. Kjo shifër po vazhdon të rritet për shkak të rritjes çdo ditë të numrit të votuesve pa pasaportë që nuk janë të përfshirë në listën zyrtare të MB dhe që strukturat po evidentojnë dita-ditës”, - bëri me dije Islami. Duke vijuar në po të njëjtën linjë, deputeti socialist u ndal dhe në një çështje tjetër, e pikërisht në kohën e mbetur deri në përfundim të këtij procesi. “Deri më 26 qershor mbeten edhe 77 ditë pune, ndërkohë që ritmi për çdo njësi aplikimi është 30–40 aplikime në ditë. Shqetësimet kryesore deri tani janë ritmet e ulëta të hapjes së zyrave të aplikimit, me dy të tretat ende të pahapura, ngadalësia dhe vonesat në aplikim për shkak të mungesës së herëpashershme të energjisë elektrike, të ndërprerjeve të lidhjes me internet”, - u shpreh Islami. Madje, janë dhe një sërë problemesh të tjera, që sjellin ritme të tillë, si: mostrajnimi në kohë i operatorëve në disa njësi, mosrespektimi i orarit, veçanërisht në disa prej bashkive jokryesore si dhe të faktit që oraret e aplikimit janë të papërshtatshme për votuesit që janë në punë, si dhe studentët, sepse një pjesë e mirë e zyrave janë të mbyllura pas orës 15:00 dhe nuk punojnë të shtunën dhe të dielën. Ndërkohë, Islami siguroi se “do të ketë një analizë të thellë e të plotë së bashku me qëndrimet përkatëse, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në respekt të së drejtës kushtetuese për votim dhe të kërkesave të Kodit Zgjedhor”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›