Islami, letër Nishanit: Duam të dhëna për votuesit pa karta
Partia Socialiste ka shprehur edhe njëherë shqetësimin në lidhje me pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. Përmes një letre drejtuar ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, ambasadorit të OSBE-së, Bosch dhe ambasadores së ODIHR-it në Tiranë, Glover, sekretari socialist për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami kërkon të dhënat për shtetasit pa pasaportë dhe atyre që nuk kanë aplikuar për kartat. Në letër theksohet se listat duhet t’i dorëzohen Partisë Socialiste deri në datën 30 maj. “Ju kërkojmë që brenda datës 30 maj të na vini në dispozicion: Listën e votuesve me pasaportë, listën e votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe listën e votuesve pa pasaportë që kanë marrë në dorë letërnjoftimin”, shkruhet në letrën e PS-së. Islami deklaron se pajisja me karta e atyre që s’kanë pasaportë deri në zgjedhje duket e pamundur dhe kërkon opsione nga ministri se si duhet zgjidhur ky ngërç. “Tanimë detyra e pajisjes me pasaportë apo letërnjoftim e të gjithë zgjedhësve prezentë në listën e zgjedhësve duket e pamundur të realizohet, duke vënë në rrezik dështimin e zgjedhjeve sipas standardeve. Do të ishte me interes të kishim dijeni gjithashtu për opsionet eventuale të zgjidhjes që do të mundësonin të gjithë votuesit pa pasaportë, të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë për letërnjoftim për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. Analiza e këtyre informacioneve dhe vlerësimet përkatëse do të jenë në themel të qëndrimit të PS-së ndaj këtij aspekti përcaktues për zgjedhjet”, shprehet Islami.