Islami sqaron funksionin e komisionit AD HOC
Komisioni parlamentar "AD HOC" i ngritur të enjten nga Kuvendi, do të monitoroje institucionet që përgatisin zgjedhjet, veçanërisht atë të letërnjoftimeve. Zv/kryetari Kastriot Islami sqaron se Komisioni nuk do të ketë rol hetimor. Qëllimi i tij do të jetë vetëm të grumbullojë informacion për të ndriçuar këtë proces. Përveç informacionit, ky Komision do të ketë dhe raportime të personave, të cilët merren me mbarëvajtjen e procesit përfshirë dhe nga kompania koncesionare "SAGEM".
Por, pavarësisht pjesëmarrjes së socialistëve në këtë proces, Islami sqaron se PS-ja nuk do të jetë palë me ekzekutivin në ndarjen e përgjegjësive nëse procesi dështon. Në komision nuk do të merret asnjë vendim, pra nuk do të ketë bllokime të komisionit, as vendimmarrje të komisionit, as çështje që duhen diskutuar, as raporte për të hartuar. Do jetë thjeshtë marrje e informacionit. Do të hartojmë një skemë për marrjen e informacionit. Do ta trajtojmë këtë informacion me shumë kujdes; kur do të duhet do tia japim publikut, kur të na duhet për analiza do ta përdorim për analizat tonatha Islami. Është hera e parë që, Kuvendi merr iniciativën për të ngritur një Komision Parlamentar për monitorimin e përgatitjes së zgjedhjeve. Informacionet, që do të mbledhin deputetët do të dërgohen në Kuvend në formën e raporteve deri në prag të zgjedhjeve të 28 Qershorit. Ky Komision përbëhet nga 9 anëtarë, ku 5 anëtarë do të jenë nga demokratët dhe 4 nga opozita. Mazhoranca do të përfaqësohet me Arjan Madhin, Tritan Shehin, Arben Divjakën, Osman Metallën e Fatos Hoxhën, ndërsa PS-ja, nuk do të ketë aletatë, por do të përfaqësohet me Blendi Klosin dhe Fatmir Xhafajn. Ngritja e këtij komisioni erdhi pas debateve të shumta. Socialistët kërkuan një komision, ku të kishin kryetarin, më pas u hodh ideja me dy bashkëkryetarë, ata kanë ngritur shqetësimin se procesi rrezikohet për shkak se qeveria nuk po respekton afatet. Përfundimisht u vendos që komisioni të drejtohet nga Ilir Rusmali i PD-së.