E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uzina Dinamo, mollë sheri për kartelin e ndërtimeve të Ramës dhe Berishës

METE: Bashkia e Tiranës po manipulon të vërtetën për ndërtimin e shkollës në objektet e Uzinës Dinamo e Re
Kryetari i Bashkisë së Tiranës nëpërmjet zëdhenësit të tij Shalësi, i cili për fat kryen edhe rolin e nënkryetarit të Bashkisë, ka ditë që kërkon të hedhë mjergull rreth dështimit me politikat e investimeve në sistemin arsimor. Kryebashkiaku i Tiranës megjithëse ka tetë vjet në krye të kësaj Bashkie nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë asnjë shkollë nga themelet. Duke qenë se kjo deficencë e qeverisjes së tij vendore mund të kthehet në argument kundër gjatë fushatës elektorale, po mundohet nëpërmjet propagandës mediatike të papagallit të tij bashkiak të faturojë defektin e tij në duart e qeverisjes qendrore. Gjithë këto ditë papagalli Shalësi nëpërmjet akuzave të tij standarde vazhdon të justifikojë mosndërtimin e shkollave për mungesë truajsh. Ka qenë uzina Dinamo e cila ka qenë objekt i akuzave të bashkisë së Tiranës, për shkak se kjo pronë po kthehet në duart e pronarëve. Ky kryebashkiak i mësuar të dhunojë pronarët duke ju grabitur pronat kërkon që të marrë edhe këtë pronë jo për faktin se kjo pronë i intereson për shkollën në fjalë, por se ky truall është një truall që prek interesat e tij për ndërtime pallatesh. Duke qenë se ky truall po del jashtë juridiksionit të tij dhe po kalon në duart e pronarëve realë, kryebashkiaku Rama kërkon me çdo kusht nëpërmjet instrumentit të tij Shalësi të mos të lejojë humbjen e kësaj prone e cila do i sillte humbje kolosale atij dhe kartelit të tij të ndërtimeve. Nisur nga situata aktuale edhe qeveria, e cila mesa duket kërkon të marrë pjesën e luanit në këtë pronë,  ku luhen interesa fitimprurëse të jashtëzakonshme, ka filluar luftën me bashkinë e Tiranës për të kaluar këtë pronë në destinacionin e përgatitur nga karteli i ndërtuesve demokratë. Pra, interesat ekonomike kanë futur në sherr dy qeveritë, qeverinë e Tiranës dhe qeverinë e Shqipërisë, ku interesat personale po përplasin qytetarët me alibi shkollash, të cilat janë pjesë e demagogjisë së fushatës elektorale të sapofilluar.
Bozdo akuza bashkisë
Zv. ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo ka denoncuar manipulimin e të vërtetës nga ana e kreut të Bashkisë, Tiranë duke hedhur poshtë akuzat e tij për moslejimin nga ana e qeverisë për ndërtimin e shkollës në objektet e uzinës Dinamo e Re, dhe ka publikuar prova ku vet kreu i Bashkisë ka dhënë OK për privatizimin e kësaj uzine. Në lidhje me debatin Qeveri- Bashki, për këtë uzinë zv. ministri Ekonomisë, Bozdo ka ngritur zërin për njohjen e të vërtetës nga ana e banorëve, të cilët sipas tij, Rama po i manipulon thjesht për të marrë një grusht votash. Nëpërmjet një konference për shtyp METE hedh poshtë deklaratën e Ramës, i cili akuzon qeverinë për pengimin e ndërtimit të shkollës për banorët e Bregut të Lumit, dhe vë në dukje faktin se vet kreu i PS ka dhënë pëlqimin e tij për privatizimin e terreneve të Bregut të Lumit, në vitin 2008, duke harruar interesin dhe nevojën që banorët kishin për një shkollë për fëmijët e tyre. Në dy shkresat e ardhura nga Bashkia Tiranë në muajt  prill dhe nëntor 2008, Rama aprovon fillimin e procesit të privatizimit për terrenet e «Bregut të Lumit», edhe pse e dinte mirë që, banorët e kësaj zone kishin nevojë për një shkollë për fëmijët e tyre, theksoi zv. ministri Bozdo. Por, pas disa kohësh, sipas Bozdos, kreu i Bashkisë, Rama duke u munduar të nxjerrë kapital politik nga kjo histori, akuzoi Qeverinë dhe Ministrinë e Ekonomisë për «sabotim». Sipas Bozdos, kthimi i pronës tek pronari i ligjshëm është detyrim kushtetues dhe është prioritar për Qeverinë dhe në këtë kontekst, sipas tij dosja e plotë për terrenin dhe objektet e «Uzinës Dinamo » është dërguar për shitje në Ministrinë e Financave në korrik të vitit 2008, ndërsa kërkesa e Bashkisë së Tiranës ka ardhur 4 muaj më vonë. Në përgjigjen e dërguar përpara disa javëve, ne i kemi shpjeguar Bashkisë Tiranë, që ky proces ka hyrë në procedurë shitjeje dhe nuk mund të kthehet mbrapsht. Kjo sepse e drejta e pronës është e drejtë parësore! Ne rastin konkret, Rama po manipulon qytetarët e Bregut të Lumit në emër të shkollës, duke e njohur fare mirë çështjen si dhe pamundësinë për të proceduar më tej, shprehet ai. Qeveria nga ana e saj pretendon se kjo është pronë private, ndërsa kreu i PS, duke kërkuar të ngrejë një shkollë në territorin e uzinës Dinamo e Re, akuzon qeverinë për sabotim. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Rama ka deklaruar se Qeveria shqiptare/Ministria e Ekonomisë «sabotojnë» me qëllim çdo përpjekje të tij për të ndërtuar shkolla dhe kopshte, dhe se rasti i «Bregut të Lumit» ishte një rast tipik i këtij «sabotimi», ka theksuar Bozdo. Sipas zv. ministrit të Ekonomisë, ky nuk është problemi i vetëm me Bashkinë e Tiranës, ku nga një mori e madhe letrash që Ministria e Ekonomisë i dërgon Bashkisë Tiranë, (në mbështetje të procesit të kthimit të pronës tek pronarët e ligjshëm), sipas tij një numër minimalisht i ulët (3-4) letra kanë gjetur përgjigje. Për koincidencë, dy ndër to janë përgjigjet për rastin e Bregut të Lumit. Korrespondencës tjetër, Rama dhe institucioni që ai drejton nuk denjon ti përgjigjet. Për të, e drejta e pronësisë nuk ekziston, të rëndësishme lejet e ndërtimit për apartamentet që do të ndërtohen, ka theksuar Bozdo. Duke theksuar këtu, se Tirana ka nevojë urgjente për ndërtim shkollash dhe jo thjesht për ndërtim pallatesh. Por sigurisht Kryetari i bashkisë Tiranë merr në shqyrtim vetëm ato raste kur miqtë e tij ndërtojnë, dhe nuk kthen asnjë përgjigje përsa i përket çështjeve me interes të lartë për komunitetin, siç janë kthimi i pronës dhe ndërtimi i shkollave, vijon zv.ministri i Ekonomisë, ku thekson se opinioni publik duhet të njihet me këto fakte si dhe me mungesën e plotë të bashkëpunimit nga ana e Bashkisë Tiranë, sidomos kur shtrohet çështja e kthimit të pronës tek pronarët e ligjshëm. Ndërsa kreu i qeverisë, Sali Berisha në ditën e 7 Marsit, akuzoi kreun e Bashkisë, Edi Rama, se ka bërë shumë pak punë me ndërtimin e shkollave të reja të qytetit, duke marrë si kundërpërgjigje nga Shalsi bllokimin e fondeve për shkollën e Bregut të Lumit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›