Islami takon zv/ministrin Rus Çizhov
16/04/2005 Ministri i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami, zhvilloi një takim me Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Vladimir Çizhov. Islami dhe Çizhov vlerësuan rëndësinë e intensifikimit të dialogut politik dypalësh në të gjitha nivelet për shqyrtimin e çështjeve me interes të përbashkët për marrëdhëniet midis dy vendeve tona, si dhe për çështje të rajonit e më gjerë. Duke u ndalur në rëndësinë e pasurimit dhe konkretizimit të bazës juridike-kontraktuale dypalëshe, bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e nënshkrimit të Projekttraktatit të Miqësisë dhe bashkëpunimit dypalësh në një kohë sa më të shpejtë. Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamjet e tyre për situatën në rajonin tonë, si dhe sfidat e tij për të ardhmen, duke u ndalur edhe në çështjen e të ardhmes së Kosovës. Ministri Islami dhe Zëvendësministri Çizhov shkëmbyen, gjithashtu, mendime rreth bashkëpunimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe çështjeve të reformimit të disa prej tyre.