UNMIK vendos viza për shqiptarët që do hyjnë në Kosovë
16/04/2005 Me vendim të UNMIK Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, duke nisur nga data 1 Maj e vitit në vazhdim, asnjë shtetas shqiptar si dhe shtetas të tjerë, përjashtuar ata serbo-malazesë, nuk lejohen të hyjnë në Kosovë pa viza. Sipas UNMIK ky vendim vjen si një përpjekje për të frenuar depërtimin në këtë vend, të elementëve me të kaluar të dyshuar kriminale dhe persona të kërkuar nga policia e vendeve të ndryshme. Tashmë çdo shtetas i cili kërkon të shkojë në Kosovë, duhet të pajiset më parë me një vizë deri në 90 ditore, e cila mund të merret në pikat kufitare të Kosovës. Përjashtohen nga ky vendim të gjithë ata shtetas të cilët janë serbë dhe malazezë ose edhe ata që kanë pasaporta të Serbisë dhe Malit të Zi. Në lidhje me vendimin e UNMIK-ut, ka reaguar Fronti Për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH). Në një deklarata për shtyp të lëshuar sot pasdite, FBKSH thotë se “vendimi i UNMIK për vizat në Kosovë është provokativ, kundër, proçesit të integrimit të shqiptarëve ne strukturat euro-atlantike dhe destabilizues për rajonin. Sipas këtij ligji përjashtohen nga sistemi i vizave vetëm qytetarët serbo-malazezë. Ndërsa shqiptarët në Shqipërisë, shqiptarët në Greqi, shqiptarët në IRJM dhe shqiptarët në Diasporë, pas datës 1 Maj 2005 duhet të pajisen me viza për të hyrë në Kosovë”, kujton FBKSH.