E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islanda, ish kryeministri Haarde në proces

Rejkavik - Nis procesi gjyqësor ndaj ish kryeministrit islandez Geir Haarde.

Ish kryeministri konservator, 60 vjeç, akuzohet si përgjegjës për kolapsin financiar të tre bankave të vendit, gjatë krizës së vitit 2008.

Për të gjykuar ish kryeministrin është thirrur, për herë të parë, Landsdomur, gjyqi special i cili ka juridiksion mbi ministrat dhe ish anëtarë të qeverisë.

Trevor Williams, ekonomist i njohur, thotë se bankat islandeze kanë marrë shumë para borxh. Në nivel ndërkombëtar fluksi i parave drejt Islandës ishte shumë i madh, dhe këto janë përdorur si levë financiare, janë blerë shumë asete jashtë vendit dhe kështu kur vlera e tyre ra, islandezët duke mos mundur të shlyenin më borxhet e tyre, shkuan në falimentim.

Kolapsi i tre instituteve bankarë provokoi në vend një krizë të thellë ekonomike, e karakterizuar nga inflacioni dhe papunësia.

Ish kryeministri do të duhet të përgjigjet në gjyq pikësëpari mbi rolin e tij në falimentimin e bankës online Icesave, e cila ishte në themelin e një konflikti diplomatik midis Islandës, Britanisë së Madhe dhe Vendeve të Ulta.

Haarde, i cili në fillim të procesit ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, nëse gjykohet i fajshëm rrezikon deri në dy vjet burgim.

(ar.si/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›