E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE: Procesi zgjedhor në Rusi favorizoi qartazi Putin

Rreth 20 mijë rusë sipas organizatorëve, 14 mijë sipas policisë, protestuan sonte nëpër rrugët e Moskës në dy demonstrata të ndryshme, njëra pro dhe tjetra kundër fitores me shumicë dërrmuese votash të kryeministrit Vladimir Putin në zgjedhjet e djeshme presidenciale në Rusi.

Njoftohet për rreth 300 arrestime, ndër ta edhe aktivisti dhe bloggeri i njohur Alexei Navalni në sheshin Pushkin të Moskës, ku grupe të opozitës kishin marrë leje për të mbajtur një miting. Policia arrestoi Eduard Limonov, udhëheqësin e Partisë Bolshevike të ndaluar me ligj dhe disa dhjetëra përkrahës të tij, të cilët u përpoqën të mbanin një protestë të veçantë, pa marrë leje. Edhe në qytetin e Shën Peterburgut u arrestuan rreth 250 protestues.

Vëzhguesit evropianë thonë ndërkohë, se zgjedhjet presidenciale në Rusi favorizuan qartazi kryeministrin Vladimir Putin, i cili arriti një fitore dërrmuese, prej 64 % të votave, sipas rezultateve paraprake.

Në një deklaratë të Organizatës për Bashkëpunimin dhe Sigurinë Evropiane thuhet se në zgjedhjet presidenciale të Rusisë nuk pati një konkurim të mirëfilltë. Në deklaratë përmendet abuzimi me burimet shtetërore.

Në raportin e OSBE thuhet se zotit Putin ju dha një avantazh i qartë, përmes mundësisë që ai pati për të komunikuar në media dhe se votuesve ju dha një zgjedhje e kufizuar kandidatësh, për shkak të kërkesave me shumë kufizime për regjistrimin e kandidatëve. Po ashtu në Raportin e OSBE flitet për parregullsi në një të tretën e qendrave të votimeve.

(ar.si/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›