Islanda premton NATO-n, Berisha jep votën në OKB
ADI SHKEMBI
Islanda do të nënshkruajë brenda këtij viti protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Garancia u dha dje në Tiranë nga Kryeministri i Islandës, Geir Haarde, në vizitën e parë të një zyrtari të lartë të këtij vendi në Shqipëri. Gjatë paradites së djeshme shefi i qeverisë islandeze pati një axhendë tejet të ngjeshur, ku u takua fillimisht me homologun e tij, Sali Berisha, kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe kryetarin e shtetit, Bamir Topi. Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha u nënshkruan edhe marrëveshjet midis Republikës së Shqipërisë dhe Islandës për “Ripranimin e personave të paautorizuar” dhe për “Lehtësimin e regjimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe Islandës”. Në konferencën e përbashkët për shtyp, lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Kryeministri i Islandës u shpreh se, “dua t’ju siguroj ju se Parlamenti i Islandës do të ratifikojë brenda vitit Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”. Ndërsa, sipas Kryeministrit Berisha, “Kryeministrit Geir Haarde dhe qeverisë së tij dua t`i shpreh mirënjohjen e madhe për mbështetjen që i dhanë Shqipërisë për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Ne zhvilluam diskutime të zgjeruara, si në takimin kokë më kokë, ashtu dhe në takimin ndërmjet dy delegacioneve, të cilat u përqendruan para së gjithash në bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve”. Një tjetër çështje e diskutuar në këtë takim ishte edhe kandidatura e Islandës për anëtare të Këshillit të Sigurimit. Kryeministri islandez tha në konferencën e përbashkët për shtyp se, Kryeministri Berisha i premtoi votën e Tiranës zyrtare lidhur me këtë kandidaturë të Rejkjavikut. “Ne falënderojmë Shqipërisë edhe për mbështetjen që do të na japë për të qenë një vend anëtar i Këshillit të Sigurimit. Kam besim se në të ardhmen do të kemi më shumë hapësira për të bashkëpunuar, si në sektorin e energjetikës, në fushën e turizmit, në farmaceutikë etj...”, u shpreh kreu i qeverisë islandeze. Gjatë takimit mes dy delegacioneve, i cili erdhi pas takimit kokë më kokë mes dy kryeministrave, u vlerësua niveli i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Islandës, në projekte të ndryshme ndërkombëtare, ku të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim, se nënshkrimi i dy marrëveshjeve të rëndësishme mes vendeve, si dhe përgatitja e disa marrëveshjeve të tjera, do të krijojnë një bazë të shkëlqyer solide, ligjore të bashkëpunimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Takimi me Topallin
Pas takimit me Berishën, Kryeministri i Islandës zhvilloi një takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Para pak kohësh, së bashku me kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Bebiç, i kemi dërguar të gjithë parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s një letër, ku i kërkojmë ratifikim sa më të shpejtë të protokollit të anëtarësimit dhe unë ju falënderoj për konfirmimin se pala islandeze do të ratifikojë shumë shpejt këtë protokoll”, tha kryetarja Topalli. Nga ana e tij, Haarde tha: “Shqipëria është një vend me shumë potenciale dhe ju përgëzoj për të gjithë progresin ekonomik, për luftën ndaj krimit
dhe korrupsionit, për forcimin e shtetit ligjor:”.
Takimi me Topin
Në takimin me Kryeministrin Haarde, Presidenti Bamir Topi vuri në dukje se të tilla vizita dhe kontakte të niveleve të larta kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Islandës. Presidenti Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike, më konkretisht në atë energjetike, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Nga ana e tij, kryetari i qeverisë islandeze, duke falënderuar Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë dhe duke vlerësuar progresin e Shqipërisë në vitet e fundit, nënvizoi interesin e qeverisë së tij për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Berberi: Biznesi islandez, i interesuar për sektorin bankar
Marrëdhëniet në fushën e biznesit mes Shqipërisë dhe Islandës kanë mundësi të zgjerohen edhe në më shumë se dy fusha ku janë aktualisht. Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Islandë, Isuf Berberi, flet në një intervistë për gazetën “Panorama” lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve, vizitën e Kryeministrit Berisha në Islandë pak kohë më parë si dhe vizitën pas dy muajsh të kryetarit të parlamentit islandez në vendin tonë. Sipas Berberit, biznesi islandez është shumë i fuqishëm në sistemin bankar dhe kjo ka qenë arsyeja që në një kokteil të shtruar ditën e djeshme në hotel “Sheraton”, të ftoheshin përfaqësues të bankave në vend.
Cilat janë aktualisht marrëdhëniet e Shqipërisë me Islandën?
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Islandën janë marrëdhënie shumë të mira, janë marrëdhënie bilaterale, por që nuk kanë intensifikimin e duhur në marrëdhëniet e biznesit. Është një vizitë historike e kryeministrit të Islandës, e para e këtij lloji le të themi, jo vetëm e një kryeministri, por edhe të një ministri, nuk ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri. Pas vizitës së Kryeministrit Berisha në Islandë, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku pas saj ne morëm ftesën në Bukuresht, pati mundësinë të takohet me personalitetet e Islandës dhe që nga ky moment iu bë ftesa Kryeministrit të Islandës të zhvillojë një vizitë në Shqipëri. Biznesi islandez në Shqipëri përfaqësohet nga dy kompani, një në fushën farmaceutike dhe një në fushën hidrike. Në fushën farmaceutike është “Aktavis”, një nga më të mëdhatë në botë, ndërsa në fushën hidrike ka një zyrë përfaqësie të shoqërisë më të madhe islandeze, e cila quhet “Landsvirkium”. Këto dy shoqëri kanë shprehur interesin për të intensifikuar më thellë biznesin në Shqipëri, e cila është edhe pjesë e bisedës e dy delegacioneve shqiptare dhe islandeze. Shpresojmë në të ardhmen që ky bashkëpunim të jetë më i gjerë në të gjitha fushat. Gjithashtu delegacioni islandez takoi kryetaren e Parlamentit, Topalli, ku u diskutuan marrëdhëniet parlamentare. Pas dy muajsh në Shqipëri do të ketë një tjetër vizitë të kryetarit të Parlamentit islandez të përbërë prej pesë deputetësh. Delegacioni islandez pati edhe një vizitë në Pallatin e Brigadave me Presidentin Topi, ku u shpreh konsiderata e lartë nga ana e zotit Topi për njohjen e menjëhershme nga qeveria islandeze të pavarësisë së Kosovës.
A ka fusha të tjera ku mund të bashkëpunohet mes dy vendeve?
Biznesi islandez është shumë i fuqishëm në fushën bankare. Bankat më të mëdha në Norvegji, Suedi, Danimarkë janë me kapital të fuqishëm islandez, madje mund të them nga më të mëdhatë në pjesën nordike. Kjo është një fushë me shumë rëndësi, prandaj edhe sot në këtë kokteil të dhënë nga konsullata ishin ftuar edhe më tepër edhe bankierë, ndoshta të gjitha degëve të bankave që janë në Shqipëri për të pasur kontakte të mëtejshme për interesin dypalësh.