E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbikalimet hekurudhore rrezik për udhëtarët, vetëm në 3 ka roje

 

LEZHE - Mbikalimet e linjës hekurudhore që lidh Tiranën me Shkodrën në segmentin që përfshin Lezhën janë jashtë çdo kontrolli. Aksidentet hekurudhore mund të ndodhin në çdo kohë, nëse drejtuesit e mjeteve nuk janë të kujdesshëm për të parë nëse trenat e udhëtarëve apo të mallrave po kalojnë në atë kohë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhë, kjo linjë hekurudhore, ndërpritet nga 19 kryqëzime rruge, por vetëm 3 prej tyre janë në ruajtjen e punonjësve të hekurudhës. Për më tepër aty mungon dhe sinjalistika hekurudhore, duke rrezikuar jetë njerëzish. Në aksin hekurudhor Milot-Shkodër, janë 9 mbikalime hekurudhore, ndërsa vetëm në atë Mamurras-Milot ka 10 të tillë. Përgjatë gjithë kësaj linje, vetëm 3 prej tyre janë nën kontrollin e punonjësve të hekurudhës, një në Fushë-Mamurras, një në kryqëzimin e Patokut dhe një stacionin hekurudhor të Lezhës. Në këtë aks hekurudhor, gjatë pesë viteve të fundit janë shënuar pesë aksidente, dy prej tyre me pasoja për jetën në Fushë-Gjormë dhe tre në Shullaz, ku ka pasur të lënduar dhe dëme të mëdha materiale. Për pak sa nuk ka mbetur viktimë e aksidentit pak kohë më parë dhe kryebashkiaku i Mamurrasit, Dedë Ndreca, i cili po tentonte të kalonte hekurudhën. Ai u plagos bashkë me shoferin, ndërsa pohoi më vonë se nuk kishte mundur të dallonte trenin për shkak të linjës së mbuluar nga shkurret.
Sipas Policisë Rrugore të Lezhës, më problematik mbetet mbikalimi i hekurudhës në Shullaz të Kurbinit, pasi aty lëviz një numër i madh mjetesh të zonës veriore dhe të Kosovës. Para viteve '90 këto mbikalime ruheshin nga punonjës të hekurudhës, pavarësisht se mjetet ishin të pakta, ndërsa sot ndodh e kundërta. E vetmja mënyrë për të shmangur përplasjet me trenin është që vetë shoferët të jenë të kujdesshëm dhe të mos kalojnë para se të sigurohen se nuk ka asnjë rrezik.                                     r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›