Islandë, Basha takime me homologun
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi dje një vizitë në Islandë, me ftesë të homologut të tij, Ossur Skarphedinsson. Gjatë takimit, dy ministrat e Jashtëm diskutuan gjerësisht rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësive të bashkëpunimit të të dyja vendeve në fusha me interes të përbashkët. Energjia, turizmi, teknologjia, ishin disa nga fushat kryesore të identifikuara, ku bashkëpunimi mund të sjellë rezultate konkrete në të ardhmen e afërt. Ministri i Punëve të Jashtme të Islandës iu adresua Parlamentit islandez, duke argumentuar në detaje domosdoshmërinë e ratifikimit sa më parë të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Pas fjalës së ministrit Skarphedinsson, Basha pati takime zyrtare me Kryetarin e Parlamentit islandez, Gudbjartur Hannesson.