Sherri me bashkiakët, hetohen 5 policë
TIRANE – Prokuroria e kryeqytetit administroi dje deklarimet e pesë punonjësve të policisë së Tiranës që po hetohen për përplasjen e ndodhur disa muaj më parë në qendër të kryeqytetit me autoritetet e Bashkisë. Sipas burimeve nga prokuroria e Tiranës pesë efektiva të policisë së kryeqytetit po hetohen për veprime arbitrare pasi kanë shoqëruar në komisariat shtetasin Gerti Lala, punonjës i Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës. Ai është konfrontuar me policinë në momentin kur forcat e rendit me disa pajisje gërmimi rrëzuan murin në afërsi të Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë për të bërë aty një lulishte me urdhër të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transport-Telekomunikacionit. Në këtë ngjarje forcat e rendit ndërhynë menjëherë sapo policia bashkiake dhe inspektorati i ndërtimit kundërshtuan shembjen e murit. Si pasojë e ndërhyrjes dy palët u përplasën fizikisht ndërsa bashkia denoncoi në prokurori ndalimin e punonjësit të saj.