E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, Kamorra ekzekuton dy emigrantë shqiptarë

Ziber Dani e Artur Kazani janë vrarë në formë ndëshkimi nga mafia sepse kishin “shkelur” në territorin e saj

ITALI- Dy shtetas shqiptarë janë ekzekutuar mesnatën ndërmjet të hënës dhe të martës në Itali nga ajo që është quajtur “mafia e zezë” Kamorra. Pesë persona të armatosur me pistoleta dhe me kaska motori në kokë, kanë hapur zjarr në drejtim të Ziber Danit dhe Artur Kazanit, të dy shtetas shqiptarë respektivisht 40 dhe 36 vjeç. Njëri ka vdekur në vend duke u gjetur nga policia me kokën në tavolinë ndërsa tjetri ka mundur që të vrapojë i plagosur për rreth 100 metra. Por edhe ai është kapur nga vrasësit e maskuar dhe është ekzekutuar me një plumb të vetëm në kokë.

Të ndërhysh në territoret e Kamorrës në Itali për të prishur sadopak pazaret e drogës ndëshkohesh me jetë. Këtë e kanë provuar dy shtetas shqiptarë, të cilët kanë gjetur vdekjen në zonën e Kazertës në Itali. Vetë policia italiane e ka konsideruar këtë ngjarje si një “ndërhyrje ndëshkuese”. Dy viktimat janë Ziber Dani, 40- vjeç, dhe Artur Kazani, 36- vjeç. Ky i fundit ka qenë i hetuar më parë për veprën penale të trafikut të narkotikëve. Por hetuesit italianë nuk kanë asnjë dyshim për ngjarjen e ndodhur. Sipas tyre, bëhet fjalë për një hakmarrje të Kamorrës, një akt demonstrativ kundrejt kujtdo që guxon të veprojë në tregtinë e narkotikëve pa marrë më parë miratimin e organizatës. Dy viktimat dyshohet se shisnin drogë në zonën e Kazertës, një territor i njohur për kontrollin e tij nga emigrantët afrikanë nën mbikëqyrjen e klaneve të fuqishme Kamorriste. Hetuesit pohuan se dy viktimat janë kapur në befasi teksa ndodheshin të ulur në verandën e lokalit “Kubana Club” në Castelvolturno. “Bëhet fjalë për të paktën pesë ekzekutorë, të gjithë me fytyrën e mbuluar nga kaskat e motorit. Ata kanë qëlluar më shumë se 30 herë në drejtim të dy viktimave me pistoleta të kalibrit të madh. Një prej tyre nuk ka pasur as mundësinë që të reagonte. Ai është gjetur nga ana jonë me kokën mbi tavolinë. Tjetri ka mundur që të vrapojë, edhe pse i plagosur, për rreth 100 metra. Dëshmitarët okularë na kanë pohuar se ai është ndjekur prej vrasësve dhe më pas është ekzekutuar me një plumb në kokë. Më pas mbi trupin e tij është qëlluar edhe disa herë të tjera”,- thanë dje hetuesit e policisë italiane. Sipas tyre, karabinierët kanë shkuar në vendin e ngjarjes por nuk kanë mundur që të gjejnë asnjë nga vrasësit. Ata kanë marrë në pyetje dhjetëra persona si dhe kanë kontrolluar lokalet përreth vendit të ngjarjes por pa mundur që të gjejnë elemente të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›