Makina e Beckham, e kapur në Tushemisht, del në ankand
Vetura e luksoze e futbollistit të njohur anglez, David Beckham, e vjedhur në Spanjë por e kapur një vit më parë teksa po hynte për në Shqipëri nga Maqedonia do të shitet me ankand. Vetë futbollisti më i paguar i historisë nuk është interesuar për makinën që ndodhet në anën maqedonase të kufirit. Por një vit pas bllokimit të saj është interesuar një shtëpi e njohur ankandesh në Amerikë. Shtëpia e ankandeve e ka blerë makinën për një vlerë prej 70 mijë sterlinash britanike ose rreth 105 mijë eurosh, pritet që ta marrë brenda pak ditësh për në SHBA.
Lajmi është konfirmuar dje nga përfaqësuesite kompanisë së njohur amerikane “Sotheby’s”, e cila ka marrë veturën e tipit BMË X5 4x4 që ishte zhdukur në kryeqytetin spanjoll kur Beckham ishte pjesë e skuadrës së Realit të Madridit. Sipas burimeve policore maqedonase, vetura BMË X5 u bllokua në Maqedoni në afërsi të doganës së Tushemishtit. Policia lokale ka dyshuar për dokumentet e makinës që do të hynte në vendin tonë dhe pas një kontrolli të thjeshtë ka rezultuar se ajo ishte e vjedhur. Por nuk ishte vjedhur makina e ndonjë pasaniku të thjeshtë por ajo e kapitenit të kombëtares angleze të futbollit, David Beckham. Verifikimi zbuloi se vetura ishte vjedhur në Spanjë dhe kishte hyrë tranzit nga Bullgaria në Maqedoni dhe më pas ka pasur destinacion Shqipërinë. Madje dyshohet se ajo ka arritur edhe të hyjë në territorin shqiptar por duket se është prishur pazari midis trafikantëve dhe mjeti është kthyer mbrapsht duke vendosur që makina të kalohej në Greqi nëpërmjet doganës së Manastirit. Në këto kushte makina atë natë pasi kthehet nga Tushemishti, vendoset në parkingun e një hoteli në Ohër për të siguruar rrugën për në Manastir. Por ka qenë një kontroll rutinë i policisë maqedonase, e cila ka verifikuar makinën dhe pasi ka parë dokumentacionin ka konstatuar parregullsi.
Pas bllokimit të saj kjo veturë është bërë pjesë e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë madje është parë që në disa raste edhe vetë Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska të udhëtojë me këtë makinë. Sipas burimeve policore kjo veturë ka kaluar në më shumë se 20 duar trafikantësh në formë stafete nga Spanja deri në Maqedoni dhe kjo ka bërë që të humbasin gjurmët e vërteta të autorit të saj. Pas njoftimit për zbulimin e makinës së tij, ka qenë vetë Beckham që ka deklaruar të mos merren më me këtë çështje pasi ai e kishte harruar atë makinë.
Ndërkohë që kompania e njohur amerikane “Sothenbys “ka njoftuar dje se gjatë ditëve në vazhdim do të plotësojë dokumentacionin përkatës për ta nxjerrë në ankand në SHBA këtë veturë të yllit anglez të futbollit që padyshim vlera e kësaj veture do të jetë shumë më e lartë se vlera reale e saj. Por zëdhënësi i kompanisë “Sotheby`s”është shumë i çuditur me indiferentizmin e pronarit të kësaj veture David Beckham, i cili fill pas vjedhjes dhe pas zbulimit të saj nuk ka treguar asnjë interes.